Xhani De Biazi më në fund flet edhe në lidhje me rinovimin e tij te Shqipëria. Trajneri italian u pyet gjatë emisionit në SuperSport në lidhje me këtë çështje, por theksoi se për këtë gjë duhet t’a pyesë kreu i FSHF, Armand Duka: “A do të jem fundvitin e ardhshëm trajner i Shqipërisë? Varet nëse jam i lirë dhe kam kohë të kaloj këtu. Përndryshe, do të thotë që do të jem ende këtu duke drejtuar Kombëtaren.” “Por kam parë që trajnerit të Gjermanisë ia rinovuan kontratën për 4 vite. Ne nuk kemi arritur objektivat, ndaj vazhdojmë me kontratën e vjetër. Jemi të qetë kështu. A do ta rinovoja kontratën? Këtë pyetje duhet të ma bëjë Armand Duka.” Ndërkohë Xhani De Biazi foli edhe në lidhje me spekulimet që e lidhnin me pankinat e Italisë dhe Anglisë. De Biazi u tregua realist, teksa u shpreh: “Ju gazetarët shkruani për lajme edhe pse pastaj nuk verifikohen. Lajmi i Anglisë nuk është ashtu, sepse unë thashë praktikisht këto fjalë ‘ku ma gjen që të më thërrasë Anglia’. Ndërsa pas largimit të Kontes kishte diçka më shumë, diçka të vërtetë.” “Federata ishte e interesuar, por kishte problemin që isha i lidhur me Shqipërinë, nuk dëshironte për çështje respekti të prishte punë. Por e di që isha shumë afër pankinës ku tani gjendet Ventura. Por gjërat tani janë kështu, nuk kanë shumë rëndësi ato të kaluarat”.