Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 mars – Problemi më i madh i bujqve është mungesa e plasmanit të prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale si dhe grumbullimi i paorganizuar që shkakton çmime të ulëta të prodhimeve bujqësore, tregon anketa e Koalicionit rural midis 128 ekonomive bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Bujqit në Maqedoni jo vetëm aktualisht, por edhe vite me radhë kanë telashe me shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore, çmimet e ulëta të grumbullimit që diktohen nga tregtarët, mosrespektimin e kontratave për shitblerje si dhe vonesat në pagesa të pemë-perimeve të grumbulluara.
TREGTARËT PA INTERES PËR EKSPORT
“Çmimet dhe pagesa janë çështje të veçanta që mundojnë bujqit, për shkak se bëhet grumbullimi dhe vonohen pagesat, çmimet nuk janë aspak stabile dhe shkojnë prej nëntoke e deri në qiell. Gjithashtu tregtarët nuk kanë interes për eksport në kohën kur në tregun vendor ka tepricë të prodhimeve bujqësore, ndërsa nga ana tjetër sikur çdo kush në shtet lufton për më shumë import dhe shumë pak mendohet për eksport”, thotë fermeri Kërsto Kërstevski.
Sipas ekonomistëve, bujqësia në Maqedoni është degë që prodhon teprica të ndryshme të prodhimeve bujqësore, që tregu vendor nuk është në gjendje t’i absorbojë, andaj imponohet nevoja e eksportit të tyre që do të sjellë edhe prurje të rëndësishme devizore. Sipas ekspertit, Goran Kovaçev, si shtet na nevojitet përcaktimi dhe realizimi i strategjisë për nxitjen e eksportit të prodhimeve agro-industriale që duhet të kuptohet si detyrë serioze në drejtim të kënaqjes cilësore dhe me kohë të tregut. Gjithashtu edhe profesionalizmi duhet të jetë në nivel, për shkak se në tregun botëror të ushqimit nuk ka vend për improvizime, shton ai më tej.
“Në radhë të parë nevojitet të përcaktohet se cilat prodhime bujqësore dhe përpunimet e tyre duhet të prodhohen dhe plasohen në tregjet e jashtme, gjegjësisht për të cilat kemi përparësi komparative në raport me konkurrencën. Mungesa e qasjes strategjike shkakton që prodhimtaria e jonë agro-industriale të jetë konfuze, e paorganizuar dhe pa strategji konkrete të definuar të eksportit. E dyta është orientimi i drejtë ndaj tregjeve eksportuese për shkak se në botë ekzistojnë afër 200 shtet me atraktivitet të ndryshëm dhe potencial absorbues. Si shtet me prodhimtari të kufizuar bujqësore nevojitet qasje strategjike, e cila do të mundësojë përgatitjen e analizës përkatëse për tregjet ku do të mund të kemi më shumë përfitime. Fokusi në përgjithësi duhet të vendoset më shumë në tregjet e ndara apo të segmentuara sipas konsumatorëve sesa në tregjet kombëtare”, thekson Kovaçev. Sipas tij, duhet të përcaktohet edhe periudha e hyrjes në një treg të caktuar si dhe shitja e prodhimeve të mos përkufizohet në plasmanin e tepricës së prodhimtarisë që nuk është shitur në tregun vendor, për shkak se tregjet e huaja kërkojnë vazhdimësi dhe stabilitet afatgjate në furnizimin me ushqim. Kujdesi për eksportin nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e prodhuesve, tregtarëve apo shtetit, por nevojitet të angazhohen të gjithë potencialet për prodhim dhe shitje të planifikuar në tregjet e huaja.
PËRVOJA SLLOVENE
“Përmes masave tregtare, bujqësore, financiare dhe të tjera nevojitet që më së voni pas pesë vitesh nga fillimi i realizimit të strategjisë për eksportin e prodhimeve agro-industriale nga Maqedonia të mundësohet suficit i vazhdueshëm në tregtinë e jashtme me prodhime të tilla, ndërsa në periudhën pas dhjetë vitesh që shitja të rritet për së paku pesë për qind në vit“, vlerëson Kovaçev.
Në ndërkohë, një nga zgjidhjet afatmesme dhe afatgjate të këtij problemi që kërkon kohë dhe organizim më të mirë, është edhe ndjekja e përvojave evropiane të organizimit në organizatat dhe grupacionet prodhuese bujqësore që në prodhimtari respektojnë standardet e cilësisë. Bashkimi i prodhuesve dhe respektimi i standardeve të cilësisë ju mundëson bujqve të zvogëlojnë harxhimet e prodhimit, të përforcojnë pozitën negociuese me tregtarët dhe të arrijnë raport më të mirë të çmimit, sasisë dhe cilësisë, gjegjësisht të jenë më konkurrues në treg. Një bashkimi i tillë në degë të ndryshme bujqësore dhe blegtorale në nivel lokal dhe shtetëror ofron edhe mundësi furnizimi për fermerët me lëndë të para me çmime më të lira, si dhe më pak të holla për blerjen e kafshëve, mekanizimit etj. Bashkimi i punës do të zgjidhte edhe problemin e vazhdimësisë së ofertës në treg. Nga ana tjetër, shtetet e rajonit mund të ndjekin historinë dhe përvojat sllovene të bashkimit të punës në kooperativa që sjell përfitime të mëdha për fermerët. Sipas ish ministrit slloven të Bujqësisë dhe deputetit aktual në Parlamentin Evropian, Franç Bogoviç, modeli slloven i mbështetjes së zhvillimit të bujqësisë, nëpërmjet shoqatave bujqësore, ka treguar se ato që nga momenti i krijimit të kooperativave të përbashkëta, janë në gjendje të prodhojnë më shumë dhe janë po ata vetë ata, që gjejnë tregjet për prodhimet e tyre.
“Ajo çfarë në Slloveni ka rezultuar me sukses dhe do të thosha që mund të ndiqet edhe nga Shqipëria, është mbështetja ndaj fermerëve të vegjël, të cilët mund të grupohen në shoqata bujqësore dhe në këtë mënyrë rrisin prodhimin, si dhe bëjnë të mundur vetë që të gjejnë tregjet për produktet e tyre”, tha javën e kaluar, ish-ministri slloven i Bujqësisë, Bogoviç në Tiranë, gjatë takimit me ministrin shqiptar të Bujqësisë, Edmond Panariti. Ndryshe, ndër prodhimet që kanë potencial më të madh për eksport nga Maqedonia jashtë shtetit janë edhe përpunimet e ndryshme të pemë-perimeve, djathi dhe mishi i qengjit, rrushi dhe vreshtaria e kështu me radhë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara