Skuadrat e kampionatit italian kanë më shumë tifozë në Shqipëri, por duket se më të çmendurit janë ata të Bayern-it. Nuk e besoni? Keni të drejtën tuaj, por hidhuni një sy fotove të mësipërme, ku duket mirë se vullneti dhe dashuria për skuadrën e zemrës mbretëron mbi gjithçka. Tifozi me emrin Edi Beqari para dy ditësh ka bërë një sakrificë të madhe për kampionët e Gjermanisë, si për t’iu përgjigjur një sfide me shokun e tij. Ky i fundit i ka thënë se nëse ai do të ngjitë Malin e Tomorit, Bayern do të mund të kalojë Real Madridin në Champions League, edhe pse ndeshja e parë ndërmjet tyre u mbyll 1-2. U tha, u bë!.
Tifozi i Bayernit e ka dërguar “aktin e tij heroik” në faqen “Tifozët Gjermanë”, ku shkruan: “TGJ, përshëndetje! Edhe unë, si ju, jam i dashuruar me futbollin gjerman dhe sidomos me Bayernin, prandaj vendosa t’ju shkruaj. Një miku im alpinist profesionist më tha: ‘Aq sa mundesh ti të ngjitësh Malin e Tomorit me mua dhe një grup profesionistësh, aq shanse ka edhe Bayern të martën për të mposhtur Real Madridin’. Nuk u mendova dy herë dhe pas gjashtë orësh ngjitjeje të vështirë me duar, këmbë dhe me zemër, u ngjita. Këtë dua edhe nga Bayerni ynë, të luftojë me të gjitha mënyrat, se do t’ia dalë. Publikoje, po e pe të arsyeshme, se edhe morali i tifozëve tanë më duket i rënë. Faleminderit.”