Qerim Lita
Demonstratat e nëntorit 1968 në Kosovë dhe ato një muaj më pas në Tetovë nxorën në pah dallimet e dukshme midis drejtuesve të atëhershëm më të lartë partiak e shtetëror të republikave e të krahinave të RSFJ, rreth përdorimit legal të flamujve të kombësive. Dallimet, në radhë të parë ishin në atë se cili subjekt ka të drejtë, përkatësisht obligim ta përdor flamurin e kombësive në territoret e përziera nacionale, në cilat raste, pastaj për pamjen e flamurit, cilët territore do të konsideroheshin si territore të përziera nacionale, si të rregullohet e drejta e përdorimit (me ligj apo nëpërmjet një deklarate), përdorimi i flamujve të jetë obliguese apo vetëm si e drejtë etj.
Burimet sekrete të KQ LKJ, na bëjnë me dije se të gjitha mosmarrëveshjet rreth kësaj çështjeje në atë kohë u krijuan falë qëndrimit shovinist të Kryesisë së KQ të LKM. Kjo kryesi, menjëherë pas demonstratave të organizuara në Kosovë, doli me qëndrim të prerë se “lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar, paraqet një hap drejt krijimit të një qendre të vetme politike e kulturore shqiptare në Jugosllavi”. Me një qëndrim të ngjashëm doli edhe qeveria republikane e Maqedonisë. Në anën tjetër, kryetari i KQ të LKM, Kërste Cërvenkovski në mbledhjen këshilluese, mbajtur më 9 dhjetor 1968, me kryetarët dhe sekretarët e komiteteve komunale të LK nga territoret e përziera nacionale, vë në dukje “rrezikun potencial” nëse shqiptarëve u mundësohet përdorimi i flamurit të tyre kombëtar “në përjashtim të rasteve private dasmave apo manifestimeve të ngjashme”. Sipas tij, ky rrezik vjen nga fakti se: “në kohë të fundit zgjerohen parulla se Maqedonia është shtet shumë nacional. Kjo nënkupton se RSM nuk është shprehje e shtetësisë maqedonase.” “Kjo nuk mund të pranohet”, shprehet në vazhdim Cërvenkovski, për të shtuar: “Nëse ndonjë herë, në mbarim të shekullit të kaluar, pati një përzierje të tillë, tash 70% e popullsisë e përbëjnë maqedonasit.” Me vlerësimet e Cërvenkovskit do të pajtohen edhe komunistët shqiptar, në radhë të parë: Xhemail Veseli, Hixhet Ramadani dhe Hysen Ramadani. Ky i fundit, demonstratat e Kosovës i quan “fenomeni Kosmet”, që sipas tij ky “fenomen” është rezultat i “një qasje së gabuar nga struktura partiake pas mbledhjes së katërt” të Brioneve, ku nga shumë qarqe politike e shoqërore jugosllave u bë “lëndë e literaturës e mbikëqyrjes e komentimeve etj.” Në vazhdim Ramadani shprehimisht thekson: “Çështja që u modifikua si tendencë dhe kërkesë për krijimin e një qendre të vetme politike, ndërsa unë këtë e shoh si një përpjekje drejtë një linje vertikale që të ndikohet te mbarë shqiptarët në Jugosllavi, për t’u paraqitur në emër të të gjithëve një forum, organ apo personalitet i caktuar. Kjo përbën një çështje dhe një përpjekje, që mendoj se mund ta argumentojmë nga tendencat për paraqitjet e një kujdestarie më të fuqishme për shqiptarët në Republikën Socialiste të Maqedonisë nga disa njerëz, organe, redaksi të cilët janë jashtë Republikës Socialiste të Maqedonisë”. Thuajse të gjithë përfaqësuesit shqiptar që morën pjesë në mbledhjen e sipërpërmendur, u shprehën kundër “legalizimit të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar”, duke theksuar se: “çdo kërkesë e shqiptarëve nëse e njëjta nuk është e pranueshme për kombin maqedonas, është e papranueshme dhe ekstreme për LKM, pa marrë parasysh nëse e njëjta është e arsyeshme apo jo” (ASHRM.1.427.191.1/1-124).
Për dallim nga RS e Maqedonisë, qëndrimet e republikave dhe krahinave tjera të RSFJ, ishin më të balancuara. Këtu duhet veçuar qëndrimin tejet konstruktiv të RS të Kroacisë. Gjithnjë duke u mbështetur nga burimet partiake jugosllave, kuptojmë se Kroacia, në vijimësi, që nga Lufta e Dytë Botërore, në territoret e përziera nacionale ka praktikuar që “krahas flamurit shtetëror jugosllav e atë republikan në mënyrë të barabartë të përdoret edhe flamuri i kombësive (italian, hungarez, gjerman etj) në të gjitha rastet dhe në të gjitha objektet shtetërore” (ASHRM.1.427.231.21/266-267).
Për rrjedhojë, pas shumë përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve midis drejtuesve partiak republikan e krahinor, ndërhyri udhëheqja më e lartë e KQ të LKJ, e cila në fillim të vitit 1969, formoi një grup pune, me detyrë speciale të hartoj një projekt ideor, i cili do të ndihmonte në “harmonizimin e qëndrimeve” të ndara, përkatësisht “krijimin e një qëndrimi unik” në mbarë territorin jugosllav, rreth “përdorimit të barabartë të flamujve të kombësisë”. Grupi punues në tetor të vitit 1969, projektin ideor ia dorëzoi Kryesisë së KQ të LKJ, e cila si të tillë e pranoi, me çka i njëjti u shpall si qëndrimi përfundimtar i KQ të LKJ.
Në të fillimisht thuhej: “Duke e vazhduar politikën konsekuente për zgjidhje të vërtetë e të vazhdueshme të pozitës së kombësive në shoqërinë tonë socialiste, Lidhja Komuniste e Jugosllavisë vë në pah rëndësinë e përdorimit të lirë të flamurit të kombësive. Lidhja këtë e bënë me bindje se përdorimi i lirë dhe i barabartë të flamujve të kombësive është një ndër shprehjet e jashtme më të dukshme të afirmimit dhe të shprehjes së lirë të individit dhe të përfaqësuesve të kombësive. Nisur nga ato baza ideore dhe duke e pas parasysh përvojën shumëvjeçare të revolucionit, Lidhja Komuniste mendon se është një e drejtë e pakontestueshme e individëve, përfaqësues të kombësive që si qytetarë, krahas flamurit të RSFJ dhe të republikës socialiste, ta përdorin edhe flamurin e kombësisë së vet. Njëkohësisht, Lidhja komuniste vë në pah faktin se kombësitë në shoqërinë tonë nuk janë vetëm persona privat, por me tërë potencialin e tyre janë lidhur me bashkësinë tonë socialiste, ata në të vërtetë janë subjekte të angazhuara të organizatave punuese vetëqeverisëse dhe bashkësive shoqërore. Prandaj flamujt e kombësive në territoret e përziera nacionale mundet dhe duhet të marrin trajtim shoqëror”.
Në vazhdim, projekti bënte me dije se: “Përdorimi i flamujve të kombësive ka një traditë të dukshme revolucionare” në Jugosllavi, që nga Lufta e Dytë Botërore ku: “brigadat ushtarake, të përbërë nga përfaqësuesit e kombësive, i mbanin flamujt e tyre nacional me yllin pesë rremësh, si simbole të përgjithshme të lëvizjes nacionalçlirimtare e të revolucionit”, ndërsa “pas luftës në territoret e përziera nacionale si simbole publike ata janë ruajtur diku më gjatë diku më shkurt në formë të njëjtë, ndërsa në disa vise në rastet tradicionale edhe sot rregullisht përdoren, krahas flamurit të RSFJ e republikave socialiste (në Kroaci-Q.L.)”. Lidhur me dallimet që ekzistonin midis republikave e krahinave, në atë se cili subjekt ka për obligim ta përdor flamurin e kombësive, pastaj cilët territore të konsiderohen si territore të përziera nacionale, në të thuhej se: “Lidhja komuniste e Jugosllavisë rekomandon në atë që sot, duke e shikuar se kush ka të drejtë e obligim ta ngrit flamurin e kombësive, duhet të respektohet fakti se bashkësitë politiko-shoqërore, organizatat politiko-shoqërore dhe organizatat punuese në viset e përziera nacionale krahas flamurit të RSFJ e republikave socialiste si flamuj të gjithë qytetarëve ta ngrenë edhe flamurin e kombësive, sepse ata janë anëtarë të barabartë të atyre bashkësive. Në radhë të parë atje ku edhe ashtu, sipas Kushtetutës dhe në bazë të parimeve lokale, është e garantuar përdorimi i barabartë i gjuhës, duhet konsideruar jo vetëm që tu lejohet, por edhe e dobishme që paralelisht të ngriheshin flamujt në objektet publike. Me këtë do të shprehej barazia e plotë e cila në viset e përziera nacionale zbatohet edhe në fushat tjera të jetës publike. Do të ishte jo natyrore t’u mohohet kjo e drejtë. Me këtë, gjithsesi se nuk do të kontribuonte në ndjenjat e plota të afirmimit të kombësive, madje do të mund të nxiste te ta dyshimin në pikëpamjen e realizimit konsekuent të politikës sonë të barazisë nacionale. Sa i përket pamjes dhe formës, KQ i LKJ, ju sugjeronte organeve përkatëse republikane e krahinore që: “të jenë ata që ajo kombësi në tërësi e ka pranuar si simbol të vetin nacional.” “Një përcaktim i tillë”, thuhet më tej, “vetëm se është vërtetuar në ditët më të vështira të revolucionit, prandaj Lidhja Komuniste e Jugosllavisë mendon për borxhin e vetë, ndaj luftës dhe dëshmorëve të përbashkët, që këtë traditë ta ruajë dhe zhvillojë” (ASHRM. 1.427.231.22/268-272).
KQ i LKJ, projektin ua dërgoi KQ republikane dhe atyre krahinore, përkatësisht komisioneve të tyre për marrëdhënie midis republikave, kombeve e kombësive, të cilët duheshe ti paraqesin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Me 4 dhjetor 1969 mbahet mbledhja e Komisionit të KQ të LKM, ku anëtarët e komisionit zhvilluan një debat të gjerë, gjatë së cilit në sipërfaqe dolën dy botëkuptime diametralisht të kundërta. Kështu një pjesë e tyre si: Filip Brajkovski, Gjorgji Caca, Stevan Gaber, Femi Muça etj., kërkonin që: “të definohet saktësisht se cili territor mund të konsiderohet si territor i përzier nacional”, pastaj, për ta ishte e papranueshme që kombësia shqiptare ta përdor si simbol të vetin të njëjtin që “RPS e Shqipërisë e përdorë si simbol shtetëror” etj. Rreth kësaj çështjeje, reagon Mateja Matevski, i cili në mënyrë të prerë shprehet: “Nëse shqiptarët në Maqedoni dhe shqiptarët në Kosovë nuk kanë simbol tjetër nacional i cili do të dallohej nga simboli shtetëror i Shqipërisë, nuk mund t’i detyrojmë të shpikin, të propozojnë simbol të ri” (ASHRM 1.427. 231.24/277-288). Në fund të debatit, Komisioni në formë të shkruar i paraqiti mendimet dhe sugjerimet e veta, të cilat në vazhdim po i paraqesim në tërësi:
“1. Komisioni i KQ i LK të Maqedonisë për marrëdhënie midis republikave, kombeve e kombësive në mbledhjen e sajë të datës 4 dhjetor 1969, e shqyrtoi praktikën e deritanishme rreth përdorimit të flamujve të kombësive në Republikën Socialiste të Maqedonisë. Në debatin e zhvilluar për këtë çështje Komisioni propozoi këto mendime:
Lidhja Komuniste e Maqedonisë gjithmonë është angazhuar për harmonizimin e qëndrimeve në lidhje me përdorimin e flamujve të kombësive në Republikën Socialiste të Maqedonisë. Në mbledhje u vu në dukje edhe rëndësia e përdorimit të flamujve të kombësive në Republikën Socialiste të Maqedonisë, si një shprehje e jashtme shumë e rëndësishme për afirmimin dhe shprehje të lirë individuale dhe përkatësisë nacionale. Komisioni është i mendimit që është adekuate me politikën tonë që të përdoren flamujt e kombësive, në më shumë raste: në jetën private dhe në rastet e festave shtetërore, bashkërisht me flamurin shtetëror të RSFJ dhe me flamurin e Republikës Socialiste të Maqedonisë. Në kushte të njëjta këtë mund ta bëjnë edhe shoqëritë e ndryshme, klube, institucione kulturor-arsimore në territoret e përziera nacionale. Bashkësitë politiko-shoqërore, organizatat politiko-shoqërore dhe organizatat punuese në territoret e përziera, krahas flamurit të RSFJ e të Republikës Socialiste të Maqedonisë mund ta ngrenë edhe flamurin e kombësisë. Komisioni shpreh mendimin që Kryesia e LKJ dhe Konferenca Federative e LSPPJ në bashkëpunim me organet kompetente në republikat socialiste, duhet të marrin qëndrim definitiv. Me këtë do t’ju mundësohej organeve kompetente të Kuvendit Federativ, të republikave, krahinave, si dhe komunave të interesuara që edhe juridikisht ta rregullojnë përdorimin e flamurit të kombësive. Ndihet edhe nevoja, që organet e federatës ta përshkruajnë – statusin gjatë përdorimit të flamurit të kombësive në RSFJ, me këtë rast legjislacioni i federatës të ofroj elementet thelbësore, ndërsa trupat përkatëse të republikave, krahinave dhe të komunave të interesuara e organizatave punuese, në mënyrë konkrete ti përshkruajnë kushtet e përdorimit të flamurit republikan, përkatësisht të kombësive. Komisioni udhëzon për nevojën e harmonizimit dhe precizitetit të disa termeve me qëllim që të kuptohet drejt përmbajtja e saj. Kështu, për shembull, të tekst përdoren termet “E drejta” përkatësisht “Obliguese”. Komisioni është i mendimit që duhet të përdoret termi “e drejtë”, sepse kjo është më adekuate” (ASHRM.1.427.231.20/256-265).
Siç shihet, Komisioni i KQ të LKM për marrëdhënie midis republikave, kombeve e kombësive, e pranon projektin ideorë të KQ të LKJ, me një përjashtim, që në shikim të parë duket si jo shumë me rëndësi, por që në esencë ajo është shumë domethënëse. Pikërisht, kërkesa për ndryshimin e termit “obligues” me termin “e drejtë”, do të jetë shkak, që çështja e përdorimit legal të flamurit shqiptar në RSM të stërzgjatet, që më në fund në vitin 1973, pas shumë përplasjeve, polemikave dhe mospajtimeve midis udhëheqjes komuniste maqedonase me atë jugosllave, të sillet Ligji për përdorimin e flamurit shqiptar në Maqedoni, i cili parashihte vetëm të “drejtën” e përdorimit, por jo edhe “obliguese”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.