Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 maj – Kompanitë në pronësi shtetërore në Maqedoni vitin e kaluar kanë treguar humbje prej 35.4 milionë euro, gjegjësisht 31 prej 120 kompanive shtetërore tregojnë bilanc negativ të punës në vitin 2016. Kjo do të thotë se çdo katërta prej tyre ka punuar me humbje, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu të dhënat për vitin 2016 nga rezultatet e arritura financiare të kompanive në pronësi shtetërore tregojnë një zbutje të humbjes së tyre në raport me vitin 2014, kur çdo e treta firmë e shtetit ka punuar me rezultate negative dhe humbje prej 48 milionë euro që paraqet një ulje prej 13 milion euro të efekteve negative të punës në raport me dy vite më parë.
Analiza e Qendrës për komunikime qytetare tregon gjithashtu se kompanitë në pronësi të shtetit në vitin 2016 kanë pasur të ardhura prej 743.7 milionë euro që është për 45 milionë euro më shumë se në vitin 2014 kur ato kanë arkëtuar 698 milion euro për shërbimet e tyre. Njëherazi fitimi i përgjithshëm i tyre apo profitabiliteti për vitin e kaluar është 62.7 milionë euro që është për gati dyfish më shumë se në vitin 2014, kur kompanitë në pronësi të shtetit kanë treguar rezultat pozitiv financiar prej 29.3 milionë euro.
Analiza e Qendrës për komunikime qytetare, e bazuar në të dhënat e Regjistrit Qendror tregon se në vendin e parë për kah humbjet nga kompanitë shtetërore janë Hekurudhat e Maqedonisë-Transporti me humbje prej 11.2 milionë euro. Humbjet janë të gjeneruara edhe nga vitet e kaluara dhe vijnë edhe si rrjedhojë e bllokadës totale të transportit hekurudhor për shkak të grevës së hekurudhave greke dhe portit të Selanikut, transmeton KOHA. E dyta në listë me humbje prej 8.5 milionë euro është Hidrocentrali Zletovica nga Shtipi me bilanc negativ që rrjedh kryesisht nga dallimet negative të kursit devizor të kredisë për ndërtimin e pendës Zletovica që janë huazuar në valutën japoneze. Në vendin e tretë me humbje prej 8 milionë euro janë Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura , në rezultatin financiar të së cilës një ndikim të madh në vitet e kaluara kanë pasur harxhimet për amortizim. Në vendin e katërt dhe pestë renditen Ndërmarrja Strezhevo nga Manastirit me 3.7 milionë euro dhe Shoqata aksionare për shërbimet e aeroporteve të Maqedonisë me humbje afër 2 milionë euro. Pasojnë Ndërmarrja e ekonomizimit të ujërave Lisiçe nga Velesi me humbje prej 674 mijë euro, Ndërmarrja Publike Komunale nga Tetova me minus prej 280 mijë euro , parkingu i qytetit të Shkupit me humbje prej 130 mijë euro, ndërmarrja publike e gazit nga Kumanova me humbje prej 105 mijë euro dhe Ndërmarrja e parkingjeve publike në komunën Qendër në Shkup me humbje prej 95 mijë euro.
Ekspertët thonë se përmirësimi i rezultateve financiare i ndërmarrjeve publike është një proces i vështirë dhe aspak i lehtë, për shkak të ambientit të vështirësuar të punës të të gjithë subjekteve në ekonominë e shtetit, duke shtuar se një nga zgjidhjet që mund të shqyrtohet është edhe orientimi në ato veprimtari ku ka mundësi ndaj koncesioneve dhe partneritetit privat- publik i mjaft kompanive shtetërore. Ekonomistët thonë se jo çdo herë për kompanitë shtetërore vlen rregulli si për kompanitë e tjera në sektorin privat se rezultatet financiare të një kompanie janë treguesi kryesore për suksesin e tyre për shkak se shpesh për reformat e nevojshme në punën e tyre mungon vullneti politik nga lartë. Gjithashtu ato shpesh ballafaqohen me mungesë investimesh , pajisje të vjetruar , borxhe të akumuluara ndër vite , kryerjen e punëve me interes publik për shkak të së cilave shpesh tregojnë humbje apo edhe mbi-punësim , ku shpesh për numrin e tepërt të punëtorëve dhe lëshimin e tyre eventual nga puna më shumë rëndësi ka momenti social dhe politik se sa ai ekonomik.
Vlerësohet se një nga zgjidhjet e mundshme është edhe ajo që praktikohet në shtetet perëndimore e orientimit ndaj metodave të ekonomisë së tregut edhe pse bëhet fjalë për kompani publike përmes vlerësimit të rezultateve të arritura përmes analizës së bilanceve të ndërmarrjeve publike duke ndjekur sistemin e pagave dhe shpërblimeve , numrin e të punësuarve dhe faktin se sa çdo i punësuar është adekuat për atë vend pune.
Në ndërkohë , jo vetëm një pjesë e ndërmarrjeve publike në Maqedoni por edhe në rajon po punojnë me humbje. Ato kanë vështirësi në kapërcimin e problemeve, dhe gjetjen e mënyrave që të përmirësohet afarizmi dhe qeverisja e menanxhmentit të tyre. Në Kosovë shumë kompani publike po vazhdojnë që të punojnë me humbje. Performanca e dobët financiare e ndërmarrjeve publike i ka bërë ato barrë për Qeverinë e Kosovës. Bile në vitin 2014, qeveria e Kosovës i ka ndarë 13 milionë euro për të mbështetur funksionimin e ndërmarrjeve publike dhe për investime kapitale. Ato janë ndarë kryesisht për ndërmarrjet më të vogla publike. Përveç, mungesës së performancës financiare shumë nga ndërmarrjet kanë dështuar të kryejnë misionin e tyre, ofrimin e shërbimeve dhe produkteve për qytetarët e Kosovës. Ende ka mungesë të energjisë elektrike dhe mungesë të theksuar të furnizimit me ujë konstaton analiza e Institutit Gap për rezultatet e Ndërmarrjeve Publike në Kosovë në vitin 2014. Edhe në Shqipëri kompanitë shtetërore kanë probleme të shumta me funksionimin e tyre. Ato vetëm për energjinë elektrike kanë borxh prej 80 milion dollar për energjinë e papaguar ndaj kompanisë së shpërndarjes së rrymës-OSHEE. Ndërmarrjet publike në Kroaci para katër vitesh kanë treguar humbje prej 257 milion kuna apo afër 35 milion euro. Bile analizat e shoqatës kroate financiare “Lipa” tregojnë se për shkak të mungesës së ristrukturimit apo privatizimit , kompanitë në pronësi shtetërore në Kroaci janë 30 për qind më pak efikase në raport me kompanitë private. Sipas tyre, mungesa e efikasitetit sjell humbje që më vonë duhet të mbulohet nga xhepat e tatimpaguesve kroat.
Gjithashtu edhe Në Serbi vite me radhë kanë probleme të mëdha me humbjet që shkaktojnë ndërmarrjet publike. Vetëm në vitin 2013 humbja e tyre ka qenë e vlefshme 51 miliardë dinarë apo afër 400 milion euro , përkundër 23 miliardë dinarë të humbjes së gjithë ekonomisë së shtetit fqinj. Në Bosnje e Hercegovinë vetëm katër ndërmarrje publike të ngrohjes, gazit, parqeve dhe ujësjellësit dhe kanalizimit në qytetin e Sarajevës në vitin 2014 kanë treguar humbje prej 15 milionë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara