Shkup, 17 korrik – Ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP) dhe udhëheqësi i Shtabit Operativ në MPB, Mitko Çavkov, gjatë kohës së sulmit të organizuar në Parlament më 27 prill të këtij viti, ku u rrahën deputetët e shumicës parlamentare dhe gazetarë, ka qenë vetëm disa qindra metra nga objekti i Parlamentit, njofton televizioni Telma. Sipas burimeve të këtij televizioni, sinjali i telefonit celular të Çavkovit është kapur në tre baza të stacioneve, edhe atë në selinë e VMRO-DPMNE-së, Almako dhe Ambasadës Italiane, të cilat ndodhen në trekëndëshin në qendrën e Shkupit. Çavkov ka qenë në këtë pjesë të qytetit deri në ora 20:00, ndërkaq më pas ka ikur në Shtabin Operativ për protestat i cili ka qenë në rrethin e MPB-së. Çavkov ka refuzuar që të japë dëshmi përpara grupit punues në MPB, ndërkaq ende nuk është ftuar të merret në pyetje as në Prokurorinë e Marko Zvërlevskit.