Ahmed Bulut, përfaqësuesi i Arda Turan ka sqaruar më në fund situatën në lidhje me futbollistin e dorëhequr nga përfaqësuesja turke, që aktivizohet me skuadrën e Barcelonës, në La Liga. Bulut ka hedhur poshtë të gjitha aludimet, teksa ka siguruar që deri në këto moment, askush nga Barcelona nuk ka kërkuar largimin e futbollistit të asistuar prej tij, ndaj dhe në këto kushte, Turan nuk është ulur në bisedime me asnjë klub tjetër.
“Askush nga Barça, nuk na ka thënë deri më sot se Arda është i panevojshëm dhe duhet të transferohet. Ndaj, në këto moment, plani ynë është të vazhdojmë sezonin e ardhshëm, ndaj dhe deri më sot, unë nuk kam folur me asnjë klub tjetër në botë. Në momentin që Barça do të na thotë se nuk e dëshiron më Arda, atëherë do të jetë një tjetër histori”, deklaroi menaxheri i Arda Turan.
“Arda ka edhe tre vite kontratë dhe ai është i lumtur te Barcelona. Është e vërtetë që ky i fundit nuk ishte një sezon i lehtë për atë, për shkak të dëmtimeve dhe një pjese të dytë të edicionit jo shumë të mirë. Padyshim që ai pëlqen zgjedhjen e Ernesto Valverde për postin e trajnerit”, vijoi menaxheri i futbollistit turk, teksa ka mohuar kategorikisht aludimet mbi një shumë të madhe parash të humbura prej lojtarit në një casino: “Arda nuk ka vënë kurrë baste në lojra fati, nuk është e vërtetë që ka humur një thesar në casino. Është një mashtrim të cilin e kemi lënë në duart e avokatit tonë dhe ata që e kanë publikuar këtë gënjeshtër do t’i vendosim përballë drejtësisë. Është një histori totalisht false”.