Driton ZENKU
Gostivar, 20 shkurt – Me fillim e pranverës, fermerët gostivaras pritet të intensifikojnë përgatitjet për mbjelljet pranverore, duke e siguruar farën dhe plehun si dhe materialin tjetër reprodukues bashkë me pajisjen agroteknike, shkruan gazeta KOHA. Në Gostivar e rrethinë, me kultura bujqësore gjatë pranverës do të duhet të mbjellën gati 6 mijë hektarë tokë. Më të përfaqësuara, edhe sivjet do të jenë arat e mbjella me drithëra dhe groshë. Nga njësia rajone e Ministrisë së Bujqësisë në Gostivar, informojnë se mbjelljet e pranverës së shpejt do të arrin në vrullin e tyre. Sivjet, në arat e Pollogut të Poshtë, me drithëra dhe groshë do të mbjellën rreth 2.900 hektarë. Sipërfaqja e planifikuar për mbjellje pranverore, i takon sektorit privat, ndërsa kultura të mbjella do të jenë edhe misri për silazh, patatet, tërshëra, thekra dhe elbi pranveror, të gjitha këto kultura lavërtarie. Edhe perimekultura, pritet të zë një sipërfaqe të konsiderueshme, e ku pritet të mbillen perimet si speci, patatja, domatja, qepët, lakrat dhe kultura tjera, kryesisht për nevoja familjare, por edhe për nevoja të tregut. Sivjet, në tokën bujqësore të Pollogut të Poshtëm pritet të mbjellën rreth 1.000 hektarë bimë tjera foragjere. Në kohën optimale për mbjelljen e kulturave pranverore, me rasat, si zakonisht nëpër toka bujqësore pritet të mbjellën 450 hektarë patate, 600 hektarë domate si dhe 300 hektarë spec. Pjesa dërmuese e sasisë së paraparë me patate pritet të realizohet brenda muajt Prill. Por, temperaturat e larta të pazakonshme që zotëruan gjatë muajit shkurt, barti pasoja tek prodhimet bujqësore. Ekspertët e bujqësisë porosisin fermerët që edhe përkundër motit të mirë që po mbretëron, të mos nguten me të mbjellat pranverore, por të respektojnë afatet optimale të stinës se pranverës, afat ky i cili fillon nga fundi i marsit dhe gjysma e prillit, atëherë kur ka mjaft lagështi për farën dhe mbirjen e saj dhe kur po ashtu do të ketë mjaft ngrohtësi për bimën. Moti i mirë me diell i cili mbretëroi gjatë muajit shkurt, ka bërë që shumë nga prodhuesit bujqësorë të mendojnë të fillojnë për përgatitjet për të mbjellat pranverore. Por, edhe pse po mbizotëron mot i mirë, paksa i pazakontë në stinën që gjendemi, ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se ende është shumë herët të mendohet për mbjelljet e kulturave pranverore.”Tani për tani mund të fillohen përgatitjet, por edhe mbjellja e qepës dhe e patates, por për kultura të tjera, siç është misri apo perimet, është shumë herët të mendohet”, thotë inxhinieri i agronomisë Sait Ibrahimi. Sipas ekspertëve bujqësorë të Gostivarit, edhe këto të mbjella pritet të përcillen me vështirësi për bujqit, njësoj si viteve të mëparshme, kryesisht për shkak të çmimit të lartë të naftës dhe farave. Sipas tyre, edhe plehrat jo rrallë importohen pa kritere dhe jo rrallë dëmtohen prodhuesit bujqësorë me produktivitet të vogël të prodhimeve për shkak të cilësisë së dobët të këtyre reporomaterialeve.
Fermeri Haki Jakupi ankohet për çmimet e larta të naftës. “Akoma nuk është arritur që fermerët që mbjellin të paguajnë më pak e jo njësoj si ata që kanë makina luksoze. Bujqit duhet të kenë çmime më të lira të karburanteve”, tha për KOHA ky bujk. Sipas tij, subvencionet që ndahen nga shteti janë të mirëseardhura, por ato ende janë të pamjaftueshme. Sipas tij, prodhimet vendore të bujqësisë duhet të mbrohen nga shteti me ligje nga ato që importohen e të cilat jo rrallë kanë çmime të lira, për shkak se shtetet nga ato vijnë i stimulojnë shumë më shumë fermerët e tyre.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.