Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 shkurt – Bujqësia e Maqedonisë dominohet nga ekonomitë e vogla bujqësore që në mesatare shfrytëzojnë 1.8 hektarë tokë dhe kanë 2.1 kafshë, shkruan gazeta KOHA. Sipas hulumtimit të fundit të Entit të Statistikës së Maqedonisë, vitin e kaluar numri i përgjithshëm i ekonomive bujqësore në vend ishte 178.125, prej të cilave vetëm 280 janë të subjekteve afariste, ndërsa 177.845 ishin të bujqve individual. Statistika më tej zbardh se në Maqedoni, gjithsej shfrytëzohen 320 mijë hektarë tokë bujqësore, prej së cilës 271 mijë hektarë punohen nga bujqit individual dhe 48 mijë hektarë nga subjektet afariste. Gjithashtu, KOHA përcjell se nga numri i përgjithshëm i ekonomive bujqësore, 61 për qind e tyre shfrytëzojnë deri në 1 hektar tokë bujqësore, ndërsa të gjithë fermat në vend kanë 381.361 kafshë të llojeve të ndryshme. Agronomët thonë se në Maqedoni, vite me radhë dominojnë ekonomitë e vogla bujqësore në strukturën e subjekteve prodhuese bujqësore, si dhe kemi copëzim të madh të tokës punuese bujqësore. Sugjerohet që në të ardhmen – më shumë të punohet në rritjen e konkurrencës së ekonomive bujqësore të vogla bujqësore që të ristrukturohen dhe të shndërrohen në ferma të orientuara ndaj tregut dhe jo ndaj kënaqjes në një pjesë të madhe vetëm të nevojave familjare për ushqim. Sipas profesorit universitar Boris Anakiev, ekonomitë e vogla bujqësore kanë një rol mjaft të rëndësishëm pasi sigurojnë mbijetesën e mjaft njerëzve dhe lehtësojnë varfërinë e një pjese të popullatës në rajonet rurale. Ato, gjithashtu kanë një rëndësi të madhe duke pasur parasysh faktin se papunësia në rajonet rurale është shumë e lartë, ndërsa të ardhurat janë më të ulëta. Gjithashtu, ekonomitë e tilla kanë një rëndësi të madhe edhe në ngadalësimin e zbrazjes së tërësishme të popullatës nga mjaft rajone rurale, por edhe kodrinore-malore, shton më tej Anakiev. “Pa përkrahje më të madhe shtetërore, këto ekonomi të vogla bujqësore shumë ngadalë do të mund të ristrukturohen dhe të shndërrohen në ferma të tregut. Bashkimi i tyre deri në madhësinë optimale të ekonomive të vogla bujqësore përmes rrugës natyrore të shitblerjes së kapaciteteve të truallit – në kushtet tona mund të zgjasë 50 vjet e më shumë, andaj qasja ndaj konsolidimit përmes formave të ndryshme të bashkimit është rruga më e shpejtë dhe më e përshtatshme. Gjithashtu, politika e shtetit ndaj ekonomive të vogla bujqësore duhet qartë të definohet për shkak se ato nuk duhet të shikohen si pengesë për rritjen e aftësisë konkurruese të bujqësisë, ndërsa theksi duhet të vendoset në kontributin e tyre në krijimin e pasurisë shoqërore”, vlerëson për KOHA, Anakiev. Sipas tij, harxhimet e larta për blerjen e lëndëve të para të nevojshme për prodhim dhe realizimi i prodhimtarisë nuk i stimulon prodhuesit të shesin në treg, andaj ka një rëndësi të madhe kooperimi i ekonomive të vogla që të kenë qasje më të lehtë në treg. Gjithashtu, politika kombëtare duhet të stimulojë edhe ndërtimin e lidhjeve në sistemet e integrimit vertikal me finalizuesit e prodhimit bujqësor, gjegjësisht me grumbulluesit dhe përpunuesit në favor të plasmanit më të lehtë dhe rritjes së fitimit nga marrja me bujqësi.
Në ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë se në Maqedoni kultivohen afër 253 mijë lopë, prej të cilave për qumësht kultivohen afër 120 mijë lopë. Kultivohen edhe 717 mijë dhen dhe 121 mijë dhi, si dhe 134 mijë familje të bletëve. Nga arat që lëvrohen dhe kopshtet, 65.4 për qind janë në drithëra, 9.4 për qind janë nën kultura industriale, 13.4 për qind janë nën kultura foragjere, 7.6 për qind janë nën perime dhe patate, një për qind janë kultura me bishtaja si grosha dhe 3 për qind janë me kultura të tjera. Statistika më tej zbardh se struktura e pemëtarisë dominohet me 58 për qind nga mollët, dardhat dhe kumbullat, me 15 për qind nga pjeshkat dhe kajsitë, 13 për qind nga arrat, bajamet apo bademi dhe lajthitë, 10 për qind nga qershitë dhe vishnjat dhe 3 për qind nga pemët e tjera. Nga teknikat e plehërimit, 38 për qind e ekonomive bujqësore shfrytëzojnë vendosjen e plehrave pa lëvrimin e tokës, 36 për qind plehërohen me vendosjen e plehut me lëvrim pas katër orësh, ndërsa me 24 për qind vendoset plehu me lëvrimin brenda katër orësh. Nga metodat e vaditjes – më së shpeshti përdoret ajo e vaditjes sipërfaqësore me 77 për qind, pason me 12 për qind vaditja pikë për pike, dhe me 11 për qind vaditja me spërkatje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.