Futbolli gjatë historisë së tij ka pasur shumë emra që do të mbeten përgjithmonë pjesë e rëndësishme e këtij sporti, shkruan sot gazeta Zëri. Roberto Baggio pa dyshim është njëri prej tyre. Futbolli është magji e çastit dhe Baggio ka qenë njëri nga mjeshtrit e lojës më të popullarizuar në botë. Michel Platini pati thënë për të se: “nuk është as 9 klasike, as 10 klasike, veç një 9.5”. Megjithëse i përket besimit budist dhe është aktivist i madh i paqes, ka qenë gjithçka tjetër, por i qetë assesi. Roberto ka mundur të bëjë me topin gjithçka që ka dëshiruar, ndërsa ka qenë edhe mjeshtër i penalltive. Por, pikërisht një gjuajtje nga pika e bardhë është pengu më i madh në jetën e tij.
Futbollin e kishte ADN
Si shumica e italianëve, futbollin e kishte të lindur, ndërsa ndikimin më të madh e pati vëllai Edi. Roberto u lind më 18 shkurt të vitit 1967 në qytezën Koldonja, në afërsi të Venecias dhe aty filloi historia e “Budës së Vogël”, njërit nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit italian. Pas “shëtitjes” nëpër kategoritë e reja, si 15-vjeçar kaloi në përbërjen e parë te Vicenza, atëherë në Ligën e tretë. Me 120 ndeshje, 110 gola e 50 asistime, menjëherë u vërshua nga ofertat në Serie A. “Roberto Baggio është fantazisti më i mirë italian, më i mirë se Giuseppe Meazza dhe Gianpietro Bonipertti. Njëri nga më të mirët e të gjitha kohëve. Menjëherë pas Diego Maradonës, Peles e ndoshta edhe Johan Cryffit. Po të mos kishte probleme me gjunjë, me siguri do të ishte më i miri nga të gjithë“, pati thënë trajneri Carlo Mazzone.
Protestat kundër kalimit te Juventusi
Si 18-vjeçar kaloi te Fiorentina dhe në ndeshjen e fundit të stinorit të parë e pësoi lëndimin më të rëndë që mund ta ketë një futbollist, duke këputur ligamentin e nyjës në gjurin e djathtë. Ai rast dhe penalltia e humbur në finale të Botërorit janë dy momente që nuk mund t’i harrojë kurrë. Zyrtarët e Fiorentinës ia paguan të gjitha shpenzimet dhe vendosën t’i besojnë, edhe pse ishte vështirë të besohet se ai do të kthehet me sukses në futboll. Fatmirësisht, ata patën të drejtë. “Budizmi më ndihmon të mendoj pozitivisht, ndërsa vendimet t’i marr me butësi”, kishte thënë Baggio para kthimit në fushë. Goli i tij i parë nga gjuajtja e lirë (kundër Napolit) e siguroi ekzistencën e Fiorentinës në Serie A dhe që atëherë Roberto është një hero i futbollit. Vazhdimi ishte i shkëlqyeshëm dhe pas aventurës te Viola, u transferua te Juventusi, për rekordin e atëhershëm prej nëntë milionë eurosh në vlerën e sotme. “Ishte i detyruar të kalojë te Juventusi. Edhe sot e kujtoj konferencën për shtyp kur u prezantua. Ia vendosën shallin rreth qafës dhe aty ishin një mori gazetarësh e fotoreporterësh. E hoqi shallin dhe e vendosi në tavolinë. Ishte e pakëndshme, por unë e kuptoja. E ndjente sikur një fëmijë kur largohet nga nëna e tij”, kujton gazetari Antonio Calendo. Në atë rast, Firenca ishte e përfshirë nga protestat kundër largimit të tij, gjatë së cilave pati dhjetëra të lënduar.
Madhështia e treguar në Firencë
Kur erdhi koha të luante kundër Fiorentinës, përveç faktit që nuk pranoi të gjuante penalltinë, ai e bëri edhe një gjest të madh. Gjatë daljes nga fusha, dikush e hodhi një shall të Fiorentinës para tij. Ai u përkul, e kapi dhe e mori me vete, shkruan Zëri. “Këto ngjyra janë thellë në zemrën time. Përgjithmonë do të mbetem ‘vjollcë‘”, pati thënë pas ndeshjes. Te Juventusi u inatosën për këtë gjest, por ish-trajneri, Giovanni Trapattoni, ishte më largpamës. “Para tij është e tërë bota. Ai është një burim i naftës, burim nga i cili është nxjerrë fare pak ari”, ishte shprehur Trapattoni. Pikërisht nën urdhrat e tij, Baggio nisi të zhvillohej si lider i vërtetë. Si kapiten i Juves, arriti të fitojë Kupën e UEFA-s. Me paraqitjet fantastike ishte fitues i “Topit të Artë“ dhe futbollisti i vitit nga FIFA.
Nga heroi në figurë tragjike
Botërori i zhvilluar në SHBA (1994) është kapitull në vete për Baggion. Pas shumë sfidave të vështira, në radhë ishte finalja kundër Brazilit. Gola nuk pati as pas 120 minutave dhe fituesin duhej ta përcaktonin penalltitë. Pas dështimeve nga Franco Baressi e Daniele Massaro, Roberto duhej të shënonte, në mënyrë që Italia të shpresonte edhe më tutje. Topi shkoi mbi portë, brazilianët e filluan festën, ndërsa para tij u rrënua gjithçka. “E dija çfarë duhej të bëja. Përqendrimi im ishte i shkëlqyeshëm. Mirëpo, isha tepër i lodhur dhe u përpoqa të gjuaj sa më fort. Fatkeqësisht gjuajta më tepër seç duhej. Gabime të tilla mund të bëjnë vetëm ata që e kanë guximin e madh”, ka thënë Baggio për momentin më vendimtar në karrierën e tij. Presioni ndaj tij ishte i madh, pasi gazetarët e shumtë sikur harruan se çfarë kishe bërë deri në atë moment.
Largimi i legjendës
Ofertat nuk i munguan deri në përfundim të karrierës. Ai zgjodhi të qëndronte në Itali, duke luajtur te Milani dhe Interi. Sukseset nuk i munguan as një mjedisin e ri, ndërsa tifozët kuqezi patën shumë besim tek ai. Pasoi aventura te Bolonja, që ishte befasi për të gjithë, prej nga kaloi tek Interi me synimin për ta fituar Ligën e Kampionëve. Më vonë pati oferta nga gjigantët si Barcelona e Manchester United, por nuk u largua nga Italia. Një kohë të shkurtë luajti te Breschia. Me 544 ndeshje, 267 gola e 159 asistime, në vitin 2004 u përshëndet nga futbolli. Para dhjetë ditësh, Roberto e festoi ditëlindjen e 50-të.