Bruksel, 23 maj – Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, edhe pse është vetëm mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, do të marrë pjesë në darkën e nesërme joformale të kryeministrave të gjashtë shteteve ballkanike që në Bruksel do ta organizojë përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini. Siç lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, nga kabineti i Mogerinit në kuadër të Shërbimit evropian për punë të jashtme (EEAS), ftesa për Zaevin është dërguar në cilësi të “përcaktuar për kryeministër”, që do të thotë se lideri i LSDM-së, edhe pse ende nuk është zgjedhur për kryetar të ri të Qeverisë së Maqedonisë, nesër në Bruksel do të prezantohet si i tillë. Përveç kryeministrave të Shqipërisë, Edi Rama, të Kosovës Isa Mustafa, të Serbisë Aleksandar Vuqiq, të Malit të Zi Dushko Markoviq dhe të Bosnjë e Hercegovinës Deniz Zvizdiq, Zoran Zaev do ta prezantojë Republikën e Maqedonisë në darkën e nesërme joformale që do të mbahet në ndërtesën e EEAS në Bruksel. Edhe pse nga kabineti i përfaqësuese së lartë të BE-së paraprakisht kumtuan se ftesat janë dërguar deri te kryeministrat aktual, megjithatë, në rastin me Zoran Zaev dhe Maqedoninë, Federika Mogerini ka vendosur të bëjë lëshime dhe ende pa u zgjedhur në funksionin e kryeministrit të Maqedonisë, megjithatë, ta ftojë atë dhe ta prezantojë në kapacitetin e tij me siguri të ardhshëm para liderëve tjerë nga Ballkani Perëndimor. Përndryshe, paraprakisht zëdhënësja e Mogerinit, Maja Kocijanqiq, duke e paralajmëruar darkën e nesërme joformale të kryeministrave të gjashtë shteteve ballkanike me Federika Mogerinin, theksoi se qëllimi është që të bisedohet për gjendjen në rajon në lidhje me ngjarjet e fundit, si dhe të shihet “si të gjithë së bashku mund të lëvizin përpara”. “Kjo darkë, gjithashtu do të jetë vazhdim i vizitës së Përfaqësueses së lartë të Mogerinit në rajon në muajin mars të këtij viti”, theksoi zëdhënësja Kocijanqiq në paralajmërimin për ngjarjen e nesërme. Përndryshe, sipas informacioneve nga kabineti i Mogerinit, pas darkës së Mogerinit dhe kryeministrave të pesë shteteve ballkanike plus Zoran Zaev nga Maqedonia, Shërbimi evropian për punë të jashtme do të dalë me kumtesë në të cilën do të sqarojë cili ishte qëllimi i darkës dhe çka është biseduar në të.