Derisa numri i viktimave dhe personave që mungojnë nga katastrofa e zjarrit në Grenfell Tower të Londrës u rrit në 79 të hënën, shumë familje ende nuk dinë asgjë për familjarët e tyre. Nëse ecni rreth Londrës perëndimore do të shihni qindra fotografi e posterë të njerëzve që kërkojnë ndihmë dhe informata për të afërmit e tyre për të cilët ende nuk dihet asgjë, shkruan Huffington Post. Tashmë kanë filluar të qarkullojnë teori se autoritetet po e fshehin numrin e vërtetë të viktimave nga zjarri në ndërtesën me 24 kate, në mënyrë që të mos shkaktojë zemërim më të madh te publiku. Meqenëse qindra njerëz kanë jetuar në atë ndërtesë, banorët shprehin shqetësimin e tyre se numri zyrtar prej 79 viktimash mund të jetë më i madh. Komandanti i Policisë londineze, Stuart Cundy, thotë se procesi i pastrimit të ndërtesës dhe nxjerrjes së viktimave, si dhe identifikimit të tyre mund të zgjasë me javë, madje disa prej tyre ka gjasa që të mos mund të identifikohen fare nga djegiet e mëdha që kanë pësuar. Ndërtesa me 24 kate kishte 120 banesa, kurse 201 persona kanë kërkuar strehim emergjent nga shteti pas incidentit.