Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 dhjetor – Kompanitë e tekstilit në të ardhmen nëse duan të mbijetojnë duhet të orientohen në krijimin e brendeve vendore dhe ngadalë të zvogëlojnë qepjen për partnerët e huaj, shkruan gazeta KOHA. Aktualisht problemi më i madh në industrinë tekstilit është se 95 për qind e prodhimtarisë është për partnerët e huaj tregtarë, ndërsa kohëve të fundit, për shkak të lehtësimeve tatimore në zonat industriale, është evidente edhe konkurrenca jolojale. Krijimi i brendit vendor , rinovimi i teknologjisë së vjetër, si dhe vendosja e numrit më të madh të fuqisë së re punëtore, janë tre gjërat kyçe që duhet të implemetojnë kompanitë e tekstilit. Ekonomistët thonë se vetëm në këtë mënyrë do të shpëtojnë nga konkurrenca e lirë nga Lindja e afërt. Brendimi apo krijimi i markave tregtare vlerësohet se paraqet mënyrën e vetme përmes së cilës prodhuesit më lehtë do të imponohen në treg. “Kompanitë vendore duhet pak më shumë të orientohen ndaj strategjive të krijimit të brendit, që të mund të kapin trendin me kompanitë ndërkombëtare ose së paku për fillim tu afrohen kompanive të shteteve të rajonit. Kjo kërkon që ato të jenë pak më konkurruese në treg përmes angazhimit në krijimin e prodhimeve, ndikimit ndaj shprehive të blerësve, strategjive të marketingut, promovimit të prodhimeve të tyre, hapjes së dyqaneve nëpër Maqedoni dhe nesër edhe në rajon”, thotë profesoresha universitare Lençe Petrevska. Për rëndësinë e këtij sektori flet edhe fakti se vetëm në vitin 2015 është realizuar import prej 708 milionë euro lon prodhimesh dhe eksport prej një miliardë e 48 milion euro lon prodhimesh që do të thotë se neto fitimi prej lon prodhimeve është 340 milion euro, ndërsa vetëm industria e tekstilit të Maqedonisë angazhon afër 40 mijë punëtorë. Nga sektori i tekstilit thonë se nevojitet të punohet në rritjen e prodhimtarisë vendore përmes krijimit të brendeve vendore, që kërkon edhe përkrahje më të madhe shtetërore financiare dhe përkrahje tjetër.
Problem për industrinë e tekstilit është edhe teknologjia e vjetër me 20-30 vite, humbja e brendeve të dikurshme të fuqishme që kishin shitje të madhe jo vetëm në Evropë, por edhe SHBA, siç ishte fabrika e Struzhankës nga Struga, Bitolateks nga Manastiri apo Oteksi nga Ohrit, ku punëtorët paguheshin bile edhe një mijë marka, si dhe mosparaqitja në ndërkohë në treg e brendeve të reja. Problem kohëve fundit, për shkak të lehtësimeve tatimore në zonat industriale, është edhe konkurrenca jolojale ku shumë punëtorë, kuadro të gatshëm që kanë punuar 20-30 vjet, largohen nga ndërmarrjet vendore dhe shkojnë tek investitorët e huaj, për 1000 deri 2000 denarë më shumë rrogë. Dalja nga gjendja e palakmueshme e industrisë së tekstilit shikohet në rritjen e produktivitetit, cilësisë dhe investimit në prodhim të gatshëm, apo eksport të pastër. “Nëse kompanitë nga industria e tekstilit dëshirojnë të mbeten produktive edhe përkundër rritjes së vazhdueshme të pagave e të punësuarve që vjet kanë qenë 14 mijë denarë, nevojitet të investojnë në makineri më moderne. Me këtë rast me të njejtin numër të punëtorëve do të realizojnë prodhimtari më të madhe dhe do të jenë konkurruese në tregjet e jashtme, në të kundërtën rrezikojnë të heqin dorë nga prodhimtaria”, thonë nga Shoqata e Industrisë së Tekstilit pranë Odës ekonomike të Maqedonisë. Konkurrenca e pamjaftueshme në raport me firmat e huaja është një nga shkaqet e situatës së rëndë të industrisë së tekstilit që punëson bile dhjetë për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në sektorin privat , andaj kërkohet sigurimi i përkrahjes financiare në procesin e automatizimit dhe modernizimit të pajisjes për prodhim , uljen e shkallëve të doganës për import të repromaterialeve jashtë shteteve të BE -së si dhe ndihmë shtetërore për ndryshimin nga prodhimtaria Lon në prodhimtari klasike, gjegjësisht formimin e brendit vendor të dedikuar për eksport. Ndryshe, Lon prodhimi paraqet formë të veçantë të përpunimit të brendshëm që realizohet në bazë të marrëveshjes midis punëdhënësit të huaj dhe kompanive vendore me lejimin e organeve kompetente doganore. Me fjalë të tjerë , punët lon karakterizohen zakonisht si punë për partnerin e huaj që angazhon fuqinë punëtore dhe makineritë vendore, ndërsa importohet lënda e parë për tu eksportuar prodhimi i gatshëm për partnerin e njohur. Këtë lloj punësh zakonisht e kryejnë firmat në sektorin e tekstilit, lëkurës, metalike, dhe këpucëve që për kompanitë e huaja kryejnë shërbimet e qepjes, prerjes, përpunimit, apo montimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.