Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 qershor – Shqipëria, Turqia dhe Greqia mbeten tre destinacionet më të preferuara për pushuesit nga Maqedonia, për të kaluar pushimet e tyre verore në bregdet. Në këto tre shtete vlerësohet se verojnë mbi 80 për qind të turistëve nga Maqedonia, shkruan gazeta KOHA.
Punëtorët turistik thonë se tradicionalisht këto tre destinacione turistike më së shumti preferohen nga pushuesit vendor, edhe pse një pjesë më e vogël e tyre pushimin e tyre të verës e kalojnë edhe në Mal të Zi, Kroaci, Bullgari si dhe destinacione më ekskluzive siç janë Spanja, Italia apo edhe destinacionet më të largëta. Qytetarët e Maqedonisë në praktikë kërkojnë më të mirën për më pak të holla, andaj edhe Shqipëria është e para për kah preferencat për të kaluar pushimet verore për pushuesit nga Maqedonia. Çmimet e volitshme, afërsia, tradita, preferencat personale, çmimi i shërbimeve, cilësia e pushimeve, verimi me fëmijë të vegjël si dhe kushtet tjera vlerësohen të jetë faktorët kryesor përcaktues për zgjedhjen e destinacionit të preferuar për kalimin e pushimeve të verës në det.
Çdo turist si konsumator disponon me të hollat duke vendosur në bazë të xhepit, preferencave, rekomandimeve të familjarëve si dhe miqve, por edhe rrethanave tjera se ku do të kalojë pushimet verore. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Shqipëri, kuzhina, peizazhet, por edhe çmimet shumë më të lira në raport me shtetet e tjera, si dhe dëshira për të vizituar pika të reja turistike, renditen të jenë faktorët kryesor që turistët nga Maqedonia preferojnë të frekuentojnë bregdetin shqiptar. Sigurisht, turistët joshen edhe me ushqimin, për shkak se në vitet e fundit në Shqipëri janë hapur mjaft restorante që ofrojnë çmime të arsyeshme dhe shpesh shumë më të lira se shtetet e rajonit. Nga ana tjetër, Turqia tërheq turistë që frekuentojnë hotelet me oferta joshëse që përfshijnë udhëtimin me avion, si dhe ofertën më se të begatshme të ushqimeve për të tre vaktet. Greqia tërheq turistët nga Maqedonia me traditën e vjetër të shkuarjes për pushime në këtë shtet, aranzhmanet e lira para sezonit kryesor si dhe preferencën e përgatitjes së ushqimit në vetë apartamentet që merren me qira me ushqimin që pjesërisht blihet në Maqedoni dhe pjesërisht në supermarketet greke.
“ Shqipëria tërheq pushuesit nga Maqedonia si shqiptarët, por edhe veruesit e tjerë me çmime më të ulëta në raport me destinacionet e tjera turistike. Megjithëse edhe këtu kemi dallimin se një pjesë e familjeve preferojnë pikat turistike si Durrësi, Shëngjini apo Velipojën në detin Adriatik ku deti është më i cekët, ndërsa të tjerët preferojnë detin Jon dhe Sarandë, Vlorën dhe pikat tjera turistike në jug, që kanë natyrë më të bukur. Nga ana tjetër, nëse flasim për akomodimet në hotele, Turqia në raport me Greqinë, ofron çmime shumë të kapshme për një familje katëranëtarëshe”, thotë për KOHA punëtori turistik,Veton Grubi. Nga ana tjetër, interesimin e madh të pushuesve nga Maqedonia për të veruar në bregdetin shqiptar e dëshmojnë edhe ofertat e dhjetëra agjencive turistike në Maqedoni që ofrojnë aranzhmane të ndryshme turistike që organizojnë pushimet për në Shqipëri. Afërsia, udhëtimi me veturë, çmimet e lira të restoranteve të ndryshme që ofrojnë specialitetet e peshkut, por edhe ato tradicionale, sidomos në raport me bregdetin grek dhe kushtet e tjera janë gjitha ato që shumica e pushuesve nga Maqedonia preferojnë të kalojnë pushimet në rivierën shqiptare, sidomos në Durrës, Shëngjin, Sarandë e Vlorë. Oferta e larmishme dhe tejet të lira për pushuesit që synojnë bregdetin shqiptar, janë arsyet kryesore përse pushuesit jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Kosova orientohen të kalojnë pushimet në Shqipëri.
Nga Kosova, bile me hapjen e rrugës së Kombit, çmimet e biletës në një drejtim për në Durrës për një person fillojnë edhe me pesë euro. Nga Maqedonia gjithashtu agjenci të ndryshme kanë krijuar edhe linja të tjera direkte, jo vetëm për në Durrës, por edhe për Sarandë, Vlorë, etj me pikënisje nga Kumanova, Shkupi, Gostivari, Dibra, Tetova. Bile shpesh Shqipëria është zëvendësim për pushuesit nga Maqedonia që heqin dorë nga destinacionet e tjera me çmime më të larta. Për leverdinë e pushimit në Shqipëri, flasin edhe ofertat e volitshme për pushime në Shqipëri edhe prej 22 euro për pansion të plotë apo bujtje me tre haje në rivierën e Durrësit në muajt korrik dhe gusht, që është më pak se 25 euro sa kushton apartamenti në Greqi për tre persona vetëm për fjetje në muajin qershor. Turistët nga Maqedonia që për çdo vit i mbeten besnik verimit në bregdetin shqiptar, thonë se çmimet lëvizin prej 400 deri 600 euro. “Jo nuk harxhoj më shumë se 600 euro , me kaq të holla kaloj pushimet në Shqipëri, bashkë me gruan dhe tre fëmijët. Rri nja 10 ditë dhe kryesisht gjatë qëndrimit aty, banoj në shtëpi private”, thotë Artani nga Shkupi. Nga ana tjetër, Xhevahiri, gjithashtu nga Shkupi thotë se shkon në pushime verore në Durrës, dhe se harxhon deri në 400 euro për një pushim më modest. Nga ana tjetër, Shqipëria ofron një vijë të gjatë bregdetare, me më shumë plazhe në detin Adriatik dhe Jon, nga veriu deri në jug, duke filluar nga Velipoja e Shkodrës, e deri në Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Ndryshe, Shqipëria përfitoi mbi 1 miliardë e gjysmë euro nga turizmi në vitin 2016. Shifra, e cila përbën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, u raportua nga Banka e Shqipërisë. Sipas të dhënave që Banka publikoi në bilancin e pagesave, rezulton se krahasuar me vitin 2015 të ardhurat nga turizmi u rritën me 13 për qind, duke i sjellë ekonomisë kombëtare 175 milionë euro më shumë. Këto janë para, që shtetasit e huaj dhe emigrantët shqiptarë, që jetojnë jashtë, i kanë shpenzuar gjatë vizitave të tyre në Shqipëri për pushime, biznes, apo qëllime të tjera, Dalja e Eurozonës nga kriza, por edhe rritja së fundi e interesit për Shqipërinë në tregun global turistik, ka shtuar përfitimet financiare për ekonominë, duke e shndërruar turizmin në sektor udhëheqës të rritjes ekonomike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.