Qindra miliona njerëz në botë mbrëmë në sheshet në qytetet e tyre, në qendrat turistike, në kafene, restorante, pabe,… apo në atmosferë familjare në shtëpi e përcollën vitin 2016 dhe e Pritën Vitin e Ri 2017.
Vitin e Ri të parët e pritën ishujt e largët të Polinezisë dhe Pacifikut, ndërsa Ouklland në Zelandë të Re është qyteti i parë botëror, banorët e të cilit e pritën vitin 2017. Viti i Ri arriti edhe në ishujt Samoa, Tonga dhe Kiribati.
Në mesin e të parëve, Vitin e Ri e pritën edhe banorët e Australisë.
Mbi një milionë persona e pritën Vitin e Ri me fishekzjarre, të cilat u janë kushtuar këngëtarëve Prins dhe Dejvid Bouvi. Shtatë tonë fishekzjarre janë lansuar nga porti në formë të Saturnit, hënës dhe yjeve për nder të këngës “Space oddity” të Bouvit dhe në përkujtim të Prinsit, të cilët vdiqën në vitin 2016. Për natën e Vitit të Ri janë angazhuar rreth dy mijë policë.
Amerika është kontinenti i fundit që do ta presë Vitin e Ri, më saktë banorët e Samoas amerikane.
Qytetarët e Shkupit natën më të hareshme e pritën në sheshin “Jadran” në organizim të komunës Qendër. Ahengu i titulluar “Qytet në qytet 4” filloi prej orës 22, ndërsa në skenë do të ngjiten hip-hop artistët legjendarë të SAF, bendi “Film” i Jura Stubliq dhe “Zabraneto pushenje”.
Në sheshin “Maqedonia” sivjet nuk pati pritje të organizuar për qytetarët pasi që Qyteti i Shkupit e anuloi festën tradicionale të Vitit të Ri.
Nata e Vitit të Ri në mbarë botën u prit nën sigurim të përforcuar para së gjithash për arsye se viti 2016 u shënua me një sërë sulmesh. Lista e gjatë e qyteteve të goditura i përfshin Uagadugun, Stambollin, Orlandon, Brukselin, Bagdadin, Berlinin, Nicën. Në shumë prej tyre sulmet ishin kundër popullit, me ç’rast forcat e sigurisë druajnë veçanërisht në këtë natë të Vitit të Ri.Megjithatë njerëzit mbrëmë u tubuan në rrugët në Azi, Lindjen e Afërt, Afrikë, Evropë dhe Amerikë.
Por, mbrëmë jo të gjithë e shënuan fillimin e vitit 2016. Popullata e shumtë kohën dhe Vitin e Ri e shënojnë sipas kalendarëve të tyre të cilët kanë rrënjë në historinë e tyre etnike dhe religjioze. I tillë është rasti me hebraikët, kinezët, hindusët dhe myslimanët si dhe me shumë bashkësi të tjera etnike dhe religjioze.
Kështu në vitin 2017, hebraikët e festojnë vitin 5778, myslimanët vitin 1439, kinezët 4715, hindusët 2074.