“Ylli” i atletikës, Usain Bolt, edhe një herë ka shprehur dëshirën e tij të madhe për të luajtur me Manchester United dhe pranoi se shumë shpejt do të nisë të stërvitet me Borussia Dortmund. Mbreti i sprintit, 30-vjeçari që ka deklaruar prej vitesh se është tifoz i zjarrtë i Manchester United, tanimë ka konfirmuar se pasi të tërhiqet nga atletika, dëshiron të bëhet një futbollist profesionist. Xhamajkani, që preferon të luaj si sulmues krahu tha për “The Guardian”: “Kemi folur me disa njerëz për këtë dëshirë.”
Bolt ka pasur kontakte me trajnerin e Dortmund, Thomas Tuchel dhe shumë shpejt do të stërvitet për disa ditë me skuadrën gjermane. “Dua të shoh nga pranë se çfarë ndodh,” – tha atleti. Gjithsesi, dëshira e tij është që një ditë të jetë në urdhërat e Jose Mourinho: “Për mua, nëse do të luaja për Manchester United do të ishte një ëndërr që kthehet në realitet. Po, do të ishte diçka epike, e paharrueshme në jetën time.”
Në momentin kur 53-vjeçari nga Portugalia u emërua si trajner në maj, Bolt shprehu lumturinë e tij: “Personalisht jam i lumtur. Unë mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë. Mourinho është një fitues. Unë me të vërtetë mendoj se ai është një fitues. Ai punon fort për të fituar tituj. Kjo është ajo për të cilën ka nevojë Manchester United në këto momente. Mourinho po ndërton një skuadër dhe unë po pres me padurim të shoh futbollistë të mëdhenj dhe trofe për ekipin tim të zemrës.”