Adem XHELADINI
Kërçovë, 2 shkurt – Furnizimi me artikuj ushqimorë në Kërçovë paraqet njëra ndër hallkat prioritare të mbijetesës së banorëve të këtyre anëve, shkruan gazeta KOHA. Për këtë arsye vizituam tregun e gjelbër në Kërçovë dhe nga aty po sjellim disa të dhëna se si është i furnizuar ai, cilat janë hallet e shitësve, cili është kapaciteti i blerësve që frekuentojnë këtë hapësirë dhe me cilat vështirësi po ballafaqohen ata. Shikuar nga prizmi i konsumatorit, si përditshmëri këtu edhe nuk mund të gjesh ndonjë ofertë të madhe, pos të shtunave kur është edhe “ditë pazari”, siç i thuhet këtu në Kërçovë. Edhe pse ditët e ftohta e plot acar të janarit, kanë reduktuar vizitat dhe furnizimin e tregut me artikuj nga perimtaria dhe pemët, e shtuna sërish vijon t’i japë atij gjallërinë e duhur. Zakonisht, të shtunave është edhe “dita e pazarit” dhe tanimë është krijuar një zakon që ky treg të vizitohet edhe nga shitës, por edhe blerës nga qytete të tjera. Kategoritë e blerësve u përkasin shtresave dhe rretheve të ndryshme, ndërkohë që ka nga ata me xhepa të trashë po edhe prej atyre që nuk mund ta lidhin muajin me muaj. Oferta në këtë treg është e zbehtë, ku vend prijatar zënë produktet kopshtare si qepa, lakra, patatja e grosha, prodhime të cilat i ofron edhe fushëgropa e Kërçovës, po krahas saj edhe produktet e viseve më të ngrohta si portokajtë, bananet, kivit etj. Krahasuar me dhjetëvjetëshat më përpara, tashmë në këtë treg, nuk tregtohet drithi, ai tanimë ka kaluar në histori, e në vend të drithit, tashmë këtu mund të gjesh prodhime veshmbathjesh duke filluar nga çorapet e deri tek kësula. Nëpër banakët e tregut hasen edhe produkte të vezëve, të cilat përpos që sillen nga fermat e prodhuesve të rrethinës, ka edhe nga ata, të cilët këto produkte i sjellin edhe për të tregtuar. Siç thamë “pazari i drithit”, siç e quanin më parë, ata që mbajnë mend, kur këtu bëhej shitja e drithit, si produkt kryesor, ndërkohë që vendin e tij e ka zënë vetëm një cep, ku shitet mielli i bluar i misrit që prodhohet nga një mulli në Zajaz, dhe ku pritja për blerje, krijon radhë të gjata.
Lazam Ademi, mullis dhe shitës i miellit të misrit nga Zajazi, thekson se është i kënaqur nga kërkesa, por “është problem gjetja e misrit, sepse shumë rrallë tani po i mbjellin arat dhe kërkesa për miellin nga misri tramak është shumë e lartë. Furnizimin e mullirit e bëj duke mbjellë arat e mia me misër, por edhe nga ndonjë bujk tjetër që ka vendosur të merret me kultivimin e misrit” thekson gjatë një bisede ai, i cili bashkë me gruan e tij ndodhet për çdo të shtune në këtë treg. Nga pak nëpër tryezat e ofertës së këtij tregu, që e quajnë edhe “tregu i qytetit” (pazari i drithit, gjenerata e të moçmëve), hasen edhe produkte të bulmetit si tëlyeni, gjiza e djathi, po edhe mjalti si produkt i cili karakterizohet si veçori e Kërçovës dhe që ka bërë tanimë bujë edhe nëpër qytete të tjera. Sa i përket konsumatorëve, ata shprehen të kënaqur me ofertën, po mundësia për t’i pasur ato në tryezën e përditshme është e reduktuar si pasojë e mungesës së parave, e cila është pasojë e krizës që ka kapluar gjithandej. Në njërën nga “tezgat e pazarit” takuam tregtarin Nusret S., i cili për “Koha” deklaron se është i kënaqur nga ajo se sa i shet produktet që ofron. “Jam i kënaqur nga blerësit, kam nga të gjitha llojet e produkteve, po si ofertë kryesore kam lakrat, patatet dhe kungujt të cilat i prodhoj në arat e mia. Sivjet kisha të mbjella 8000 metra katrorë me patate, 4000 me lakra, dhe kisha të mbjella edhe 5000 metra katrorë me misër. Nga shitja e produkteve jam i kënaqur po mendoj se mundet edhe më mirë. E di se njerëzit nuk kanë shumë pare, po megjithatë ia dal të shes. Të them të drejtën shumicën e produkteve na i marrin prej në shtëpi, po mbetet edhe për në treg”. Përpos kërçovarëve ky treg vizitohet edhe nga shitës dhe blerës edhe të Tetovës, Gostivarit, Strumicës, Ohrit, Prespës e Resnjes, Botunit, Kavadarit, Gjevgjelisë, po deri edhe prej Shkupi. Ata kryesisht ofrojnë prodhime të qepës, të lakrave, të mollëve, preshve etj., dhe nga këtu blejnë kryesisht prodhime të bulmetit si gjizë, djathë, pastërma dhe mjaltë. “Është katastrofë ajo që na bëjnë. Në vend që të na ndihmojë të zhvillohemi, ata po na shkelin. Brenda pazarit ka tezga të lira e neve na kërkojnë standardin Hassap. Do të pajtoheshim sikur përgjegjësit e pazarit të kishin siguruar frigoriferë e ne jemi të gatshëm të paguajmë shumën që ata kërkojnë për shfrytëzim. Dorën në zemër jemi të pa organizuar edhe ne” , thonë shitësit e bulmeteve. “Nuk ka hije që brenda në Pazar të ketë tezga të lira e ne të rrimë në rrugë”, thotë Xhemo Xh., shitës në këtë treg. Vërtetë çmimet me të cilat i shesim produktet tona nuk janë shumë të larta, po ama edhe blerësit nuk kanë shumë pare. Disa herë kem qenë në komunën e Kërçovës, po na kanë thënë se duhet t’i plotësojmë standardet e tregut. Ata nga ne kërkojnë të gjitha po nuk janë gati të na ofrojnë asgjë”, vazhdon më tutje ai. Pra, me një fjalë, Kërçova vazhdon të frymojë me hallet e përditshme dhe me problemin e varfërisë që është pjesë e zinxhirit që ka marrë edhe gjithandej nëpër Maqedoni, po edhe si pasojë e krizës së përgjithshme globale. Me një fjalë ankesat janë të dyanshme, si nga ana e blerësve, po ashtu edhe nga ana e shitësve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.