Vjollca SADIKU
Dibër, 24 shkurt – Në Dibër dhe rrethinë blegtorët ballafaqohen me problemin e shitjes së qengjave të kësaj sezone, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e Shoqatës së blegtorëve për komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, “Dashi”, thonë se blegtorët këtë sezon për shitje kanë afro 20 mijë qengja. Po sipas të njëjtit burim, sivjet ka problem me shitjen e qengjave për shkak të ndërprerjes së kontratës nga ana e firmave që blejnë e që i shesin këta qengja në tregun italian. Kryetari i Shoqatës së blegtorëve dibranë “Dashi”, Skënder Ame, thotë për KOHA se gjithë blegtorët janë në hall rreth shitjes së qengjave, të cilët vite me radhë i kanë shitur për tregun italian. Ai shton se, sipas të dhënave që posedojnë, tregtarët që merren me shitblerjen e qengjave nuk kanë vazhduar kontratën, e cila kontratë ka qenë çdo vit qysh në kohën e ish Jugosllavisë. Për ne, shton Ame, është një problem i madh nga që kemi qengja të cilët janë me kualitet mjaft të lartë dhe që shumë janë të kërkuar në tregun italian.
Për problemin në fjalë, blegtorët dibranë i janë drejtuar edhe Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ujëra. Kryetari i Shoqatës së blegtorëve dibranë tha se ne kemi Federatën e blegtorëve dhe kemi kërkuar që, nëse nuk realizohet shitja e qengjave, të subvencionohen nga ana e ministrisë përkatëse, edhe atë për kokë qengji prej 500 denarë, e ne do t’i therim këto 20 mijë krerë. Ame shton se sa do të jetë kjo e kapshme nga ana e Fedartës, ta shohim, në të kundërtën, blegtorët nga mbarë vendi do të protestojnë, thotë Ame.
Nga përfaqësuesit e blegtorëve u informuam se vite me radhë, nga kompanitë e ndryshme nga Gostivari, Prilepi etj., kanë plasuar qengjat nga Maqedonia në Itali, dhe ata janë shumë të kënaqur nga kualiteti dhe këta qengja shumë kërkohen në tregun e tyre.
Sa i takon kualitetit të qengjave të kësaj zone, Ame thotë se mishi i tyre ka një kualitet të lartë, nga që ushqehen me një vegjetacion të pasur që nuk i kanë nëpër bjeshkët e tjera. Qengjat e Dibrës janë më të kërkuara në vend.
Edhe në bisedën që patëm me disa blegtorë dibran u informuam se janë në pritje për shitjen e qengjave, shitje e cila zakonisht realizohet në fillim të muajit mars. Interesimi i tregut italian, sidomos për qengjat e Dibrës është i madh, por ja që punët administrative janë pengesë për shitjen. Kjo na pengon shumë si blegtorë, shtojnë ata.
Kur është në pyetje zhvillimi i blegtorisë në Komunën e Dibrës, por edhe më gjerë në rajon, një vend të veçantë kanë edhe përfitimi i blegtorëve nga shitja e qengjave si dhe nga subvencionet. Në shumë takime që kanë pasur blegtorët me përfaqësues të institucioneve që trajtojnë problemin e bujqësisë dhe blegtorisë është theksuar fakti se nga përfitimi i shitjes së qengjave, nga përfitimi i plasmanit të djathit, subvencionet dhe përfitimeve të tjera drejtpërdrejt varet edhe rritja e numrit të deleve në rajonin në fjalë. Dibra dhe rajoni më i gjerë posedojnë kushte shumë të mira klimatike, kullosa verore me vegjetacion të bujshëm dhe me një përkrahje më të fuqishme të institucioneve për blegtorët, siç janë rritja e lartësisë së subvencioneve në këtë rajon, ku janë evidentuar afro 35 mijë krerë dhen dhe shumë shpejt numri i tyre mund të dyfishohet. Ndërsa numri i blegtorëve në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë arrin 130.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.