Qefser ABDYLI
Shkup, 7 janar – Nga 1 janari hyri në fuqi sistemi i integruar tarifor, i cili vlen për të gjithë transportuesit publik dhe privat, shkruan gazeta KOHA. Sipas këtij sistemi, shfrytëzuesit e transportit publik duhet të pajisen me kartelë elektronike. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Qyteti i Shkupit ka sjellë vendim për periudhë promotive prej një muaji, me ç’rast me çdo kartelë elektronike të blerë të pa personalizuar vijojnë 5 udhëtime falas. Me hyrjen në fuqi të sistemit të integruar tarifor, nga ana e Qytetit të Shkupit, udhëtarët paraprakisht do të duhet të mbushin biletën në vendet e autorizuara të shitjes. Shuma minimale për plotësim është 100, ndërsa maksimalja 6.000 denarë, pa afat të shfrytëzimit. Disa nga qytetarët e anketuar nga gazeta KOHA u shprehën të kënaqur nga ky ligj i ri, por kishte edhe nga ata që u shprehën të revoltuar. Rumena Rajkovska nga lagja e Karposhit, thekson se ndjehet e kënaqur me këtë ligj dhe shpreson të vazhdoj dhe më tutje, pasi sipas saj, është shumë më lirë. “Deri sa të rregullohet mirë ky ligj qytetarët mund të jenë të hutuar, deri sa nuk kam hyp në autobus as unë s’e kuptova se si është, mirëpo tani që blihet bileta 150 denarë, ku mundë të gjesh më mirë, mendoj që tani më mirë është”, thotë ajo. Zonja Rajkovska thekson se edhe pse njerëzit janë ende në panik, ky ligj duhet të vazhdojë dhe të mos ndërpritet. “Tash është më lirë, 150 denarë 5 udhëtime, shumë mirë është. Para Vitit të Ri për mbesën time kam blerë biletë 400 denarë për 10 udhëtime, edhe atë me kohë të kufizuar vetëm për 15 ditë”, tha Rajkovska. Ajo më tej shprehet e kënaqur me këtë sistem pagese, pasi thekson biletat tani janë më të lira. “Mua më duket më mirë kështu, biletat janë më të lira, jam shumë e kënaqur. Unë udhëtoj me autobusin numër 9, tani këtë numër e kemi vetëm privat, por meqë e kanë bërë kështu, ndoshta edhe ata kanë menduar për të mirën tonë”, thotë Sllagjana Arnaudova. Ndërkaq, nga ana tjetër studentët shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, ky ligj vetëm se i ka shtrenjtuar biletat. Ata thonë se biletat e tyre studentore nuk vazhdojnë më dhe duhet të nxjerrin të reja, ndërsa për t’i nxjerr biletat e reja u kushton më shumë, sepse ata paguajnë edhe vërtetimin që po e marrin nga universiteti, plus pastaj duhet të paguajnë edhe biletën që e marrin nga ndërmarrja publike. “Meqë jemi studentë, pak është problematike t’i vazhdojmë biletat pasi duhet të presim deri në semestrin e ardhshëm të regjistrohemi, kurse tani çdo dy apo tre ditë po duhet të vijmë në fakultet dhe duhet të blejmë së paku 10 kartela në javë të cilat i shfrytëzojmë për 3 ditë”, thotë studentja me emrin Sandra. Ajo thotë se kjo nuk është fare e drejtë, ndërsa thekson se ne shkojmë në fakultet për çdo ditë, jemi student të rregullt dhe nuk na vazhdojnë biletat. “Ka nga ata qytetarë ku në rrethinën e tyre ku jetojnë nuk kanë ashtu stacioni ku i blejnë biletat, sepse nuk po ka në të gjitha autobusët për t’i blerë, dhe tani nuk ka prej ku të blejë, as në autobusë nuk mundë të blejnë, dhe çdokush nuk ka mundësi të hyp në taksi dhe të udhëtojë deri në pikën e shitjes së biletave”, shprehte e revoltuar studentja Sandra. Ajo thotë se nuk është e mirë kjo, pasi po i ndalon qytetarët të hypin në autobusë dhe duke pas parasysh se këto janë autobus, duhet të jenë në diskonim për të gjithë. “Mendoj që shuma prej 150 denarëve është e shtrenjtë, sepse dikush do t’i blejë ato dhe nuk do t’i shfrytëzojë as edhe një javë. Kot i blejnë sepse ju skadon afati dhe përsëri duhet t’i mbushin, gjë që mendoj se është shumë e shtrenjtë, ku duhet pasur parasysh standardet tona”, shprehet më tej Sandra. Ndërkaq, qytetari Ibrahim Rexhepi thekson se më parë ka qenë më mirë se sa tani me metodën e re të pagesës së biletave. Sipas tij, tani është shumë shtrenjtë për ata që jetojnë me ndihma sociale.“Të them të drejtën unë jam pensionist dhe për mua është e njëjtë, ndërsa për këto të rinjtë, për shembull vajzës time, çka i duhet bileta kur ajo jeton me 2000 denarë ndihmë sociale. Sot nxorëm biletën 150 denarë, atë e shfrytëzojmë vetëm për sot, e çka më vonë kur duhet përsëri pas një muaji të paraqitet në byronë e punëve sociale. Për mua personalisht ky ligj është katastrofë dhe bëj apel që menjëherë të ndërpritet, sepse jam i sigurt që shumica e qytetarëve janë të pakënaqur nga kjo”, shprehet Rexhepi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.