BFI mbështet fuqishëm ambasadorin Bejli

3

Shkup, 7 shkurt – Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, H. Sulejman ef. Rexhepi, në emrin e tij personal dhe në emër të popullatës muslimane në Maqedoni, nëpërmjet një telegrame mirënjohjeje të adresuar Ambasadës Amerikane në Shkup, Kongresit Amerikan dhe Stejt Departamentit Amerikan, ka shprehur përkrahjen e parezervë ndaj Ambasadorit Amerikan Xhes Bejli, për punën e tij të pazëvendësueshme në mbrojtjen e vlerave më të larta demokratike në vend. Mes tjerash në këtë telegramë thuhet se Bashkësia Fetare Islame shpreh falënderim të madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila siç potencohet, gjithnjë ka qenë në krah të forcave progresive që ia duan të mirën Maqedonisë dhe mbarë shoqërisë së saj. “Kohëve të fundit, disa politikanë të verbuar që vegjetojnë në partinë ekstremiste maqedonase VMRO-DPMNE kanë demonstruar destruktivitet si dhe mosmirënjohje ndaj politikave si dhe shtetit amerikan, duke e sulmuar ekselencën e tij, ambasadorin Xhes Bejli.  Ambasadorin Xhes Bejlin e konsiderojmë si një ndër diplomatët perëndimorë që kanë dhënë kontributin e parezervë në tejkalimin e situatave shumë të ndera që janë krijuar pikërisht prej kësaj partie ekstremiste maqedonase. Pa dyshim që, ambasadori Bejli me dinjitet dhe krenari përfaqëson vlerat më të larta demokratike amerikane, të cilat reflektojnë një siguri dhe mirëqenie të konsiderueshme në shoqërinë tonë. Bashkësia Fetare Islame në RM konsideron se të gjithë subjektet dhe personalitetet me peshë në vend duhet t’ju dalin përballë forcave destruktive të VMRO-DPMNE-së dhe t’ua bëjnë të qartë që nuk mund të na ndalojnë drejt reformave të nevojshme për t’iu bashkangjitur strukturave euro-atlantike, për ç’gjë kontributi i ambasadorit amerikan, Xhes Bejli, është i pazëvendësueshëm”, thuhet në telegramin e BFI-së. Natyrisht, vijonë më tej telegrami, duke i përkrahur të gjitha politikat amerikane që sigurojnë stabilitet, mirëqenie dhe paqe, ne si Bashkësi Fetare Islame ua bëjmë me dije të gjithë faktorëve në vend se VMRO-DPMNE-ja nuk mund të flasë në emër të shtetit, pra as në emër të Institucionit tonë fetar islam. “Dëshirojmë që edhe një herë të nënvizojmë se, ne, si Bashkësi Fetare Islame, mbështesim parezervë politikat e shtetit amerikan në rajon dhe më gjerë si dhe mbështesim dhe përkrahim tërë atë angazhim e kontribut të jashtëzakonshëm të ambasadorit Xhes Bejli në drejtim të ndihmesës amerikane që ia ofron shtetit tonë për integrime në BE e në NATO”.

Comments are closed.