Urim HASIPI
Tetovë, 23 dhjetor – Fshati Tearcë i Komunës së Tearcës, si asnjëherë më parë është në qendër të vëmendjes për shkak se në këtë fshat do të ketë rivotim të dielën në një vendvotim, shkruan gazeta KOHA. Kështu, vendvotimi numër 2011 do të vulos fatin e fituesin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, pas vendimit të institucioneve përkatëse që të ketë përsëritje të votimit. Por, edhe përskaj qëndrimeve zyrtare të partive maqedonase, të cilët bëjnë garë se do të kenë një deputet më shumë apo më pak, beteja zhvillohet larg syve të opinionit. Aktivistë të partive maqedonase tashmë trokasin derë më derë duke kërkuar votën, duke premtuar punësime dhe projekte në infrastrukturën e këtij fshati apo banorëve të lagjes që do të rivotojnë. LSDM-ja ka vazhduar të bëjë aktivitet në shtabin e saj në këtë fshat, ku tenton që të marrë edhe votat e shqiptarëve, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, përmes aktivistëve të saj në këtë komunë, tenton që të bind elektoratin shqiptarë të bojkotojë rivotimin, me çka edhe rezultati do të ngelte i pandryshueshëm. Por, një burim tjetër i gazetës KOHA, ka thënë se VMRO-DPMNE përgatitet që pak orë para mbylljes së vendvotimit, të nxjerrë elektoratin e saj. Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga VMRO-DPMNE-ja.
Zyrtarë të degës së VMRO-DPMNE-së në Tetovë thonë se nuk bëjnë aktivitete sepse bojkotojnë rivotimin që është edhe qëndrim zyrtar i kësaj partie. Banorët që janë në këtë vendvotim i kanë thënë gazetës KOHA se ka një disponim që të dalin për të votuar të dielën për të vendosur për fituesin e këtyre zgjedhjeve. “Por, disponimi është që të dalim të votojmë të dielën. Kjo ndodh rrallë herë që të përsëriten votimet dhe fituesi të vendoset pikërisht në vendvotimin ku votojmë ne”, i kanë thënë gazetës KOHA nga familja Ismaili në Tearcë. Këtë e konfirmojnë edhe nga dega e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë në Tearcë prej nga presin që të dielën të bëjnë rikthimin e rezultatit prej 307 votave epërsi në nivel të njësisë së gjashtë zgjedhore.“Të dielën presimi dalje masovike të qytetarëve. Kemi kontakte me qytetarët, jemi aktiv në teren dhe presim rezultat pozitiv që të fitojë LSMD-ja. Gjasat janë reale që të përmbysim rezultatin”, tha Llazar Gjeorgjievski, kryetar i degës së LSDM-së në Tearcë. Nga VMRO-DPMNE, ngelen në qëndrimin zyrtar të partisë së do të bojkotojnë rivotimin në Tearcë. Por, duket se ky rivotim është thikë me dy tehe edhe për turqit që jetojnë në këtë fshat, që janë në numër të konsiderueshëm dhe zakonisht nxjerrin nga një këshilltarë në Komunën e Tearcës. Tashmë kryetar i Partisë Demokratike e Turqve në Maqedoni është Bejxhan Iljas pikërisht nga ky fshat. Ai për gazetën KOHA thotë se qëndrimi i partisë për këto rivotime do të ndërmerret në nivel të koalicionit, pasi që partia turke është në koalicion me VMRO-DPMNE-në. “Ne ende nuk kemi qëndrim të prerë, dihet se jemi në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe ne jemi parti serioze, prandaj edhe qëndrimi do të jetë i përbashkët si koalicion, nuk mundemi që ne të kemi qëndrim tjetër dhe koalicioni të ketë qëndrim tjetër”, thotë kryetari i Partisë Demokratike e Turqve në Maqedoni, Bejxhan Iljas. I pyetur se partia e Gruevskit do të bojkotojë rivotimin ai nënvizon se për këtë ende nuk ka biseduar me partnerët e koalicionit. “Nuk mund të marrim vendim vet pa pasur një harmonizim të qëndrimeve me partinë që jemi në koalicion”, u shpreh ai. Partitë politike shqiptare taktizojnë se si do ta orientojnë votuesin e tyre. Si do që të jetë, thirrja për dalje do të shkonte në favor të LSDM-së kur dihet se shqiptarët nuk votojnë VMRO-DPMNE-në dhe vota do të shkonte për LSDM-në. Thirrja për bojkot do të shkonte në favor të VMRO-DPMNE-së, prandaj edhe partitë hezitojnë në opinion të dalin me qëndrime zyrtare. BDI në këtë vendvotim kishte 53 vota, por për rivotimin nuk kanë marrë qëndrim se a do të bëjnë thirrje te votuesit e tyre për të dalë apo për të mos dalë. Shaban Memeti, kryetar i degës së Bashkimit për Integrim në Tearcë, thotë se nuk ka qëndrim të prerë për rivotimin në Tearcë. “Ne si degë nuk kemi marrë vendim dhe vendimi do të merret në nivel të partisë, prandaj edhe nuk dalim me qëndrim zyrtar”, tha Memeti.
Nga Lëvizja Besa nënvizuan se nuk do të bëjnë thirrje që të dilet apo mos të dilet në rivotim, por do të lënë të lirë vet votuesit të vendosin. “Ne nuk do të dalim me qëndrim që të dilet apo mos dilet të dielën në rivotim në Tearcë, por votuesit do të jenë të lirë që të vendosin vetë, sepse votuesit nuk ja pronë e partisë që të tregtohet”, tha Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa. Nga LRPDSH-ja theksuan se nuk kanë asnjë qëndrim për rivotimin në Tearcë. Nga Partia Demokratike Shqiptare, kanë qenë të pakapshëm për të dhënë ndonjë qëndrim sa i përket rivotimit në Tearcë. Ndryshe, duke pasur parasysh disponimin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, ku VMRO-DPMNE në nivel komunal të Komunës së Tearcës kishte një epërsi të vogël prej 45 votave, gjegjësisht VMRO – DPMNE kishte 998 vota, kurse LSDM-ja 953, pritet që gjithsej 714 votues sa ka njësia zgjedhore 2011, shumica të votojnë për LSDM-në. Më 11 dhjetor në votim kanë dalë 404 persona, 91 prej të cilëve kanë votuar për VMRO-DPMNE-në, 87 për LSDM-në, 65 për Besën, 64 për PDSH-në, 53 për BDI-në, 25 për Aleancën e Shqiptarëve dhe nga një për VMRO-në për Maqedoninë dhe për Koalicionin për ndryshim dhe drejtësi – Blloku i tretë. Në vendvotimin numër 2011, në zgjedhjet e mbajtura me 11 dhjetor kanë votuar 404 votues ose 56.58 %, ndërsa duke pasur parasysh se dallimi në njësinë e gjashtë zgjedhore është 307 vota mes dy partive më të mëdha maqedonase, atëherë dalja në këto zgjedhje e votuesve mund të përmbys rezultatin, por të dielën do të shihet qartë se cila nga partitë shqiptare ka punuar në favor të partive maqedonase, kur dihet se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare jo rrallë herë deri më tash kanë përkrahur qoftë direkt apo në mënyrë indirekte VMRO-DPMNE-në. Përbërja e këtij fshati është shumë etnike, gjegjësisht në të jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, rom dhe serb. Sipas regjistrimit të vitit 2002, fshati Tearcë ka 3974 banorë, prej tyre 2310 shqiptarë, 1085 maqedonas, 512 turq, 54 rom, 4 serb dhe 9 banorë janë shkruar të tjerë. Në territorin e Komunës së Tearcës gjatë ditëve të fundit pas vendimit për të pasur rivotim në një njësi zgjedhore, vërehet prani e shtuar e forcave policore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.