Evis HALILI
Shkup, 6 mars – Nëse leximi i një libri nuk do të kushtëzohej nga planprogrami mësimor titujt më të preferuar në biblioteka do të ishin ato të autorëve të huaj dhe të ashtuquajturave “best seller”. Ndërkohë që librat e autorëve shqiptarë, një pjesë e të cilëve studiohen nëpër shkolla dhe universitete përbëjnë edhe numrin më të madh të librave që kërkohen nëpër biblioteka. Murat Isaku, Abdyazis Islami apo Luan Starova…, qëndrojnë në krye të listës së autorëve më të lexuar për momentin në bibliotekat shqiptare. Këto janë emrat që një prej bibliotekave më të mëdha në vend, “Koço Racin” në Tetovë” , i ka dërguar me rastin e Ditës së Lexuesit që u organizua në Bibliotekën Universitare “Klimenti i Ohrit”, ku edhe u shpall autori më i lexuar i vitit në të gjitha bibliotekat publike.
“Mund të themi se Murat Isaku është më i kërkuari, pas tij vijnë Islami apo Starova, e të tjerë. Librat nga këto autorë kërkohen më së shumti nga nxënës shkollash, apo studentë të cilët këto libra dhe autorë i kanë pjesë të planprogramit mësimor. Nga ana tjetër është një fakt surprizues i këtyre tre viteve të fundit, ku numri i lexuesve është rritur dhe preferencat e këtij grupi që thjesht leximin e kanë kënaqësi është preferenca për libra psikologjikë, për libra nga autorë të huaj që për momentin janë të kategorisë best seller në botë”, thotë Gjyltene Ajnuri, punonjëse e kësaj biblioteke.
Sipas saj, nëse kushtet do të ishin më të mira dhe do të favorizonin zhvillimin e më shumë aktiviteteve dhe promovimeve të librave dhe autorëve numri i lexuesve do të ishte më i madh, ashtu edhe i librave. Preferencat për këto tituj dhe autorë të huaj ajo i lidh edhe me kushtet ekonomike në përgjithësi, por edhe me mungesën e orientimit të lexuesit, kritikës letrare, e të tjera.
“Jemi nga bibliotekat më të mëdha në vend sa i takon numrit të lexuesve, por pjesa më e madhe kërkon libra dhe autorë që i ka pjesë të asaj që i nevojitet për në shkollë apo fakultet. Ndoshta nëse kushtet do të ishin ndryshe, të kishim më shumë hapësira dhe të zhvillonim aktivitete mund të vendosnim një tjetër raport mes lexuesit dhe librit”, thotë Ajnuri.
Por, në fakt problemi me lexuesin është se nuk di se çfarë duhet të lexohet, ndërkohë që intrigohet nga tituj dhe autorë që nuk kanë vlera të mirëfillta. Kështu pohon Sevdail Demiri nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”.
“Lexuesi i sotëm është më i çorientuar se kurrë më parë. Zgjedhje ka shumë, por pak ka kritere në bazë të të cilave do të duhej të bëhej përzgjedhja për lexim. Atë më shumë e intrigojnë librat e shkruar nga politikanët apo njerëz publik me ndikim publik, se sa librat që kanë vlera të mirëfillta. Në këtë mes hyn edhe çështja e reklamimit të produktit-libër. Pra, ata që i reklamojnë më tepër, kanë më shumë mundësi për të depërtuar deri te lexuesi”, thotë Demiri.
Dita e lexuesit në Maqedoni zhvillohet për vitin e shtatë me radhë dhe qëllimi është, siç thonë organizatorët vendosja në piedestal e lexuesit. Fituese e këtij viti është Vera Kalin dhe libri “Endacaku me sahat floriri”, me të cilin është renditur si autorja më e kërkuar në të gjitha bibliotekat. Deri tani si autorë bashkëkohorë më të kërkuar janë shpallur vetëm maqedonas, Igor Xhambazov, Vanko Andonovski e të tjerë.