Lëvizja BESA sot akuzoi se udhëheqësia e Spitalit klinik në Tetovë është e paaftë për të menaxhuar me të dhe nuk arrin t’i shfrytëzojë edhe ato pak mjete të destinuara si buxhet vjetor. “Fakti që edhe Fondi Shëndetësor edhe spitali kanë drejtues kuadro të BDI-së, flet shumë për atë se sa janë të përkushtuar nga kjo parti që qytetarëve të Tetovës me rrethinë t’iu ofrojnë shëndetësi cilësore”, kumtoi BESA.
Totali i mjeteve, sipas Lëvizjes BESA, që nuk shfrytëzohen janë gjithsej 31.246.653 denarë ose rreth 508 mijë euro, ndërsa në anën tjetër pacientët ankohen për shërbime të dobëta shëndetësore, ngase detyrohen vetë t’i blejnë barnat dhe materialet gjatë qëndrimit në spital. “Ka mungesë të aparaturës dhe hapësirave, ndërsa kushtet në spital janë gati primitive, duke pamundësuar funksionim normal për personelin mjekësor dhe për pacientët”, thonë nga BESA. Lëvizja BESA, thuhet në kumtese, në platformën RIDEFINIMI rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe shëndetit të njerëzve dhe do të angazhohet me të gjithë kapacitetet kadrovike dhe njerëzore që i ka, që të ndërtojë sistem shëndetësor cilësor, i cili do të jetë i barabartë dhe i drejtë në ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët.