Shkup, 6 qershor – Derisa njëra nga shtyllat kryesore të një shteti është sistemi i drejtësisë, ndërsa Lëvizja BESA në vazhdimësi ka ngritur zërin lidhur me padrejtësitë që bëhen në kurriz të shqiptarëve të Maqedonisë. Por, edhe tani pas formimit të Qeverisë së re, fatkeqësisht ka sinjale për standarde të dyfishta. Kështu ka akuzuar të martën zëdhënësja e Lëvizjes BESA, Njomza Imeri Ismaili, e cila ka përsëritur se Lëvizja BESA kërkon që urgjentisht dhe menjëherë të procedohen rastet e montuara ndaj shqiptarëve, siç është rasti “Monstra” dhe “Sopoti”. “Kur e themi këtë, kemi parasysh të burgosurit në dy rastet më të ndjeshme gjyqësore, ‘Monstra’ dhe ‘Sopoti’, të cilët janë edhe subjekt i hetimit të Prokurorisë Speciale, ngaqë këto raste apostrofohen në përgjimet e publikuara nga kryeministri i tanishëm i Maqedonisë, Zoran Zaev. Pavarësisht se është deklaruar publikisht dhe ekzistojnë dëshmi se shqiptarët që janë viktimë e këtyre proceseve të montuara, gjykohen pa të drejtë, drejtësia në rastin e tyre është duke u vonuar. Çdo ditë e kaluar është krim i pafalshëm që shteti ushtron ndaj këtyre qytetarëve derisa ekzistojnë të gjitha mekanizmat për të zbardhur të vërtetën e plotë. Ky ishte edhe premtim i Zoran Zaev për votuesit shqiptarë, i cili deklaroi se një prej veprimeve të para që do të ndërmerr do të jetë ndriçimi i plotë i këtyre rasteve. Megjithatë, përtej këtyre deklarimeve, të gjithë ishim dëshmitar se kërkesa e parë e kryeministrit Zoran Zaev drejtuar Prokurorisë Speciale nuk ishte procedimi i rasteve ‘Monstra’ dhe ‘Sopoti’, por verifikimi i të kaluarës së ministrave nga radhët e BDI-së, disa prej të cilëve ishin edhe pjesë e kabineteve qeveritare që montuan këto raste politike”, tha Imeri Ismaili. Dhe, ka vijuar më tej ajo, derisa Prokuroria Speciale Publike u tregua shumë e shkathët dhe efikase dhe iu mjaftuan vetëm 24 orë për verifikimin e të kaluarës së ministrave të BDI-së, “kërkojmë dhe presim që me të njëjtën urgjencë të procedohen edhe rastet ‘Monstra’ dhe ‘Sopoti’, për të cilat ka prova të shumta të cilat e konfirmojnë pafajësinë e shqiptarëve të cilët padrejtësisht mbahen nëpër burgje”. “Lëvizja BESA kërkon nga qeveria e Zoran Zaevit që sa më parë të mundësojë prodhimin e vendimeve të drejta gjyqësore dhe të ndërpritet njëherë e përgjithmonë funksionimi i drejtësisë me standarde të dyfishta. E ripërsërisim qëndrimin e njohur tashmë publik të Lëvizjes BESA se ne insistojmë që të krijohet një sistem, i cili do t’i vendosë standardet bashkëkohore në ndarjen e drejtësisë dhe i cili përfundimisht do ta çrrënjosë mendësinë e funksionimit komunist të ish-Jugosllavisë në raport me shqiptarët”, ka përfunduar zëdhënësja e Lëvizjes BESA. (koha.mk)