Shkup, 2 maj – Lëvizja BESA Lëvizja përmes grupit të saj parlamentar do të dorëzojë kërkesë deri te kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Talat Xhaferi, që në seancën e parë të formohet komision hetimor parlamentar, ku do të zbardhet e gjithë e vërteta e 27 prillit dhe mbi këtë bazë, siç thonë nga kjo parti, të ndërmerren masat e nevojshme për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë rast. “Dita e enjte e 27 prillit do të mbahet mend si e ‘E enjtja e përgjakur’, dita e zisë institucionale, ku në mënyrë barbare – brenda pronës së Kuvendit – u sulmuan deputetë, gazetarë e punonjës administrativë, madje u demolua dhe shkatërrua gjithçka nga një grup huliganësh, që u futën brenda në Kuvend të maskuar dhe rebeluar, por edhe të organizuar, gjë që shpërfaq edhe elemente të sulmeve terroriste. Aty u rrezikua rendi kushtetues dhe i sigurisë, ndërsa para syve të policisë (atyre që duhej ta mbajnë dhe sigurojnë rendin publik) u sulmua organi më i lartë shtetëror. Përkitazi me këtë, ne shprehim shqetësim dhe keqardhje të madhe për atë që ndodhi dhe njëherazi e dënojmë këtë akt vandal me përmasa grusht-shteti! Me këtë rast ritheksojmë se institucionet kompetente shtetërore nuk ishin në detyrë dhe nuk i ndërmorën masat e duhura për pengimin e asaj dhune në Kuvend”, tha në konferencë për shtyp, Njomza Imeri-Ismaili, anëtare e kryesisë qendrore. Ajo më tej theksoi se pa zbardhjen e këtij rasti, Maqedonia nuk do të jetë e sigurt dhe do ta ketë vështirë të krijojë kushte për sundimin e ligjit, drejtësisë dhe sigurisë. “Kur jemi këtu, kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku ministër është një kuadër i BDI-së, nga Prokuroria Publike, si dhe nga organet e tjera kompetente, që mos të lejojnë të minimizohet qëllimisht zbardhja e këtij skenari, por këtë vepër huliganësh ta marrin me seriozitetin më të madh, që ata ta marrin dënimin e merituar. Në të kundërtën ne, por edhe popullata, do të konstatojmë se këto institucione janë të kapura nga këta huliganë dhe nga skenaristët e tyre”, tha më tej Njomza Ismaili. Lëvizja BESA konstaton se secili që ka bërë shkarje, duhet të kapë llogari para drejtësisë. “Për këtë arsye e ftojmë Prokurorinë Publike që të reflektojë dhe të fillojë me hetimet profesionale të këtij rasti dhe të mos bie pre e ndikimeve nga partitë politike, të cilave u ka shërbyer deri më tani. Po ashtu e ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht ministrin në detyrë, që të fillojë me sanksionimin e punonjësve të policisë, të cilët i ndihmuan bandat e huliganëve, qoftë në aspektin e logjistikës, qoftë edhe në bashkëpjesëmarrjen e tyre në aktet e terrorit të ushtruar ndaj të zgjedhurve të popullit dhe ndaj gazetarëve”, tha mes tjerash Njomza Imeri-Ismaili, anëtare e kryesisë qendrore të Lëvizjes Besa.