Shkup, 10 janar – Lëvizja BESA, përmes një kumtese të publikuar sot, shpreh shqetësim të thellë që shumë vendbanime, sidomos shqiptare, në këto temperatura shumë të ulëta në vazhdimësi janë pa furnizim me energji elektrike. “Kjo përpos që direkt e rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, njëherësh u shkakton shumë dëme ekonomive familjare si pasojë e djegies dhe prishjes së shumë pajisjeve elektroshtëpiake”, thuhet në kumtesë. BESA i bën thirrje kompanisë EVN Maqedoni që më seriozisht t’i qaset shpërndarjes dhe furnizimit me energji të qytetarëve dhe të tregohet më e përgjegjshme ndaj kryerjes së detyrimeve ndaj qytetarëve. “Detyrim parësor në këto temperatura të ulëta duhet të jetë jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Si Lëvizje BESA zotohemi se do të angazhohemi për furnizim të rregullt, cilësor dhe me çmim të volitshëm të qytetarëve me energji elektrike”, thuhet në fund të kumtesës së Lëvizjes BESA.