Driton ZENKU
Gostivar, 24 shkurt – Dukuri e përsëritur për çdo vit është krijimi i deponive të egra me fillimin e rritjes së temperaturave dhe fillimit të sezonit të ndërtimeve, shkruan gazeta KOHA. Nga ditët e para ka filluar krijimi i deponive të egra me materiale ndërtimore. Veçmas, në viset periferike të qytetit por edhe vendbanimeve të tjera për rreth, janë shtuar dukshëm rastet kur kompani të ndryshme ndërtimore dhe individë të caktuar, bëjnë hedhjen e materialeve të ndryshëm ndërtimorë me çka krijojnë deponi të egra nëpër vendbanime të populluara. Sektori për mbikëqyrje inspektuese në Komunën e Gostivarit, ditëve të fundit ka intensifikuar aktivitetet në terren në drejtim të parandalimit të dukurisë së hedhjes së materialeve të ndryshëm ndërtimorë nga ana e individëve dhe kompanive të ndryshme ndërtimore. “Në disa raste, inspektorët kanë kapur në flagrancë persona të pandërgjegjshëm duke hedhur mbetje urbane në lokalitete të ndryshme brenda dhe jashtë qytetit. Rastet janë foto-dokumentuar. Sektori për mbikëqyrje inspektuese në Komunën e Gostivarit ka iniciuar procedurë ligjore ndaj rasteve të konstatuara”, njoftuan për KOHA nga Sektori për mbikëqyrje inspektuese në Komunën e Gostivarit.
Nga atje thonë që veprimet e tilla paraqesin shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për pastërti publike, me çka parashihet kallëzim penal për ato që dëmtojnë pastërtinë publike. “Përveç shkeljes së dispozitave ligjore, aktet e këtilla ndotin mjedisin jetësor dhe hapësirën publike, vend ky që shfrytëzohet nga banorët e vendbanimeve përkatëse. Lusim qytetarët që nëse janë dëshmitarë të këtyre akteve kundërligjore, të drejtohen deri tek Qendra për Informim në komunën e Gostivarit për të paraqitur këto raste. Së bashku të angazhohemi dhe të jemi në lartësinë e përgjegjësisë qytetare ndaj mjedisit ku jetojmë”, deklarojnë nga Sektori për mbikëqyrje inspektuese në Komunën e Gostivarit. Vërejtje të kësaj natyre kanë ardhur edhe nga drejtuesit e policisë në Gostivar. Ndër shkaqet e shkeljes së ligjit për pastërti publike, nga policia e Gostivarit kanë përmendur edhe hedhjen në vende të palejuara të mjeteve të forta ndërtimore. “Rastet më të shpeshta të shkeljes së ligjit për pastërti publike janë edhe deponimi i materialeve ndërtimore nëpër viset publike, dukuri kjo që paraqitet sidomos gjatë stinës së pranverës kur edhe fillojnë punimet ndërtimore”, theksojnë nga Policia e Gostivarit, nga ku bëjnë me dije se kësaj periudhe do të ndërmarrin aktivitete të vazhdueshme me qëllim të zbatimit të ligjit dhe ruajtjes së pastërtisë publike. Gjoba për personat fizik, sipas ligjit për pastërti publike peshon 50, kurse për persona juridik rrotullohet nga 3 deri 5 mijë euro, pa llogaritur edhe dënimet për personat përgjegjës të sipërmarrjeve e cila rrotullohet nga 500 deri 1 mijë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.