Shkup, 8 gusht – Dy drejtoritë që merren me arsimin e që janë të pavarura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i kanë takuar LR-PDSH-së. Drejtor i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit është emëruar profesori i gjuhës shqipe, Rizvan Bela nga Shkupi. Bela është i njohur edhe si përkthyes, redaktor gjuhësor, ish-udhëheqës i Sektorit për bashkëpunim me BE-në, dhe ish-koordinator nacional i IPA fondeve. Bela zë vendin e ish-drejtores Vesna Horvatoviç. Në ndërkohë, drejtor i Qendrës Shtetërore të Provimeve është emëruar Nexhmedin Sadiku, bartësi i listës për deputet në Njësinë e dytë zgjedhore në listën e Aleancës për Shqiptarët. Sadiku, profesor i Matematikës në Gjimnazin e Kumanovës, është i njohur për shumë aktivitete arsimore në Kumanovë dhe Likovës. Dy drejtorët e rinj, Sadiku dhe Bela janë anëtarë të Kryesisë së lartë të LR-PDSH-së. (koha.mk)