Shkup, 4 prill – Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin formim të shpejtë të qeverisë e cila do t’i përkushtohet agjendës reformuese dhe integrimit të vendit në NATO dhe BE. Kështu porositi të martën ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli. Ai në një deklaratë për media, të cilën e dha pas shënimit të ditës së NATO-së në Shkup, tha se SHBA-të presin që partitë të përmbushin të gjitha elementet nga Marrëveshja e Përzhinos. “Kishte zgjedhje në dhjetor, të cilat u vlerësuan si kredibile. Deputetët u ulën në Kuvend, ishte deklaruar shumica parlamentare dhe mendojmë se nuk është në përputhje me principet demokratike dhe me Kushtetutën që të mos lejohet të vazhdojë procesi i formimit të qeverisë. Gjithsesi, në fund të fundit, nga liderët politik dhe nga qytetarët e Maqedonisë do të varet se si do të shkojnë përpara, por kjo është me rëndësi për integrimin e vendit në NATO dhe në BE, siç tha dje edhe kryetari i Këshillit Evropian”, deklaroi Bejli. Ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, theksoi se nuk mund të spekulojë për hapat e mëtejmë nëse nuk formohet qeveri së shpejti.
“Në fund të fundit, varet nga institucionet e juaja dhe nga liderët tuaj dhe nga populli që të arrijnë deri në zgjidhje. Ne e ndihmuam dialogun në bisedimet në Përzhino, por në fund institucionet e tuaja janë vendi ku mund të zgjidhjet kjo çështje. Keni Kuvend dhe atje mund ti diskutoni të gjitha çështjet. Por, me rëndësi është të shkojmë përpara me formimin e qeverisë. Nëse nuk shkojmë përpara, kjo do të thotë prolongim i vendimeve, ndoshta mosrealizim të projekteve, dhe në fund qytetarët do të duhet të vendosin nëse dëshirojnë Kuvendi i tyre dhe liderët politik kështu të veprojnë”, tha Bejli.
I pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë, ambasadori amerikan theksoi se SHBA mbetet në qëndrimin e njejtë, që fqinjët të përmbahen. “Siç deklarova para disa javësh, ju bëjmë thirrje fqinjëve nga rajoni që të përmbahen dhe t’i lejojnë Maqedonisë të ecë përparë në këtë proces. Është e qartë se kjo është një çështje e ndjeshme. SHBA e përdorë emrin Republika e Maqedonisë dhe e njohim identitetin e Maqedonisë”, tha Bejli. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me vendimin e presidentit Ivanov për mosdhënien e mandatit për liderin e LSDM-së, duke pasur parasysh që më herët ka pasur porosi direkte, ambasadori Bejli tha që mbesin në deklaratat e tyre të mëparshme. “Ftojmë Presidentin që të vazhdojë procesin. Gjithashtu, me rëndësi është Kuvendi të lejojë procesi të lëvizë përpara dhe është e qartë se këtu hapi i parë duhet të jetë zgjidhja e kryeparlamentarit të përbërjes së re”, tha ambasadori Bejli.