Shkup, 12 qershor – Bashkimi Demokratik për Integrim megjithatë nuk ka hequr dorë ish-ministrat e rinj, mandate I të cilëve kaloi me mbarimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor të vitit të kaluar. Shirete Elezi, ish-ministre e Vetëqeverisjes Lokale është përzgjedhur si zëvendësministre e Financave, Bekim Maksuti rikthehet në Ministrinë e Mbrojtjes si zëvendësministër, ndërsa Visar Ganiu, profesor i Edukatës Fizike në USHT, kuadër nga Shkupi, do të jetë zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës. Agim Nuhiu, ish-ministër i Punëve të Brendshme, tani do të jetë zëvendës i ministrit Oliver Spasovski. Përveç BDI-së, edhe LR-PDSH e Ziadin Selës ka përzgjedhur emrat e zëvendësministrave në Qeverinë e re të Zoran Zaevit. Arta Toçi nga Tetova do të jetë zëvendësministre e Punëve të Jashtme, Elmi Aziri nga Kumanova zëvendësministër i Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa Remzi Memedi do të ushtrojë postin e zëvendësministrit për Transport dhe Lidhje. Po sot pritet të dihen emrat e drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, pas dorëheqjes së Mitko Çavkovit, si dhe emri i zëvendësuesit të Vladimir Atanasovskit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Një është e sigurt – këto dy institucionet rëndësishme të policisë do të udhëhiqen nga kuadro të LSDM-së.