Shkup, 7 nëntor – “Bashkë vendosim!”, është slogani i Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjet e 11 dhjetorit, transmeton gazeta KOHA. Kështu ka vendosur Shtabi Zgjedhor, duke marrë për bazë pesë pikat (përbetimet) e platformës zgjedhore, me të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim do të dalë para qytetarëve, për të verifikuar edhe një herë rrugën e vendosur drejt avancimit të çështjes shqiptare dhe konsolidimin e demokracisë në Maqedoni. Siç theksojnë nga BDI-ja, së bashku shqiptarët mund të jenë vendimtarë drejt arritjes së synimeve të tyre dhe të qytetarëve në përgjithësi, pa dallim etnie e religjioni ose përcaktimi politik. Ajo përmes sloganit “Bashkë vendosim!” komunikon se do të jetë përfaqësuesja e fuqishme dhe serioze e shqiptarëve, për të cilët, pas shumë arritjesh, ka ardhur koha që të jenë plotësisht të barabartë në përparimin ekonomik të vendit. “Do të bëjmë fushatë pozitive duke folur për projektet që kemi arritur dhe planet për të ardhmen. Ne jemi gati të komunikojmë me qytetarët, sepse kemi çka të tregojmë, çka kemi premtuar dhe çka kemi realizuar. Ky është programi ynë elektoral, por më shumë se aq, është përcaktim politik dhe një rrugë me vizion afatgjatë drejt objektivave të përparimit në një ekonomi perëndimore”, u shpreh Bekim Neziri, shef i Shtabit Zgjedhor. Bashkimi Demokratik për Integrim hyn i përgatitur për një fitore të re në këto zgjedhje, me bindje se ajo që ka bërë në të kaluarën është argumenti më bindës se edhe më tutje mbetet një parti serioze, e cila jo vetëm që nuk është shkaktare e krizave porse gjithnjë faktor pa të cilin nuk mund të gjenden zgjidhjet. Këtë rol konstruktiv BDI-ja e pati edhe me kontributin e vet në procesin politik dhe kështu do të jetë kontributi edhe në këtë fushatë zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve dhe në qeverisjen e ardhshme. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u shpreh i bindur se këto zgjedhje do të kalojnë në atmosferë demokratike ku qytetarët do të jenë plotësisht të lirë për të dhënë votën atyre që duan. “BDI fton dhe mbështet punën e monitoruesve ndërkombëtarë sepse këto zgjedhje janë më të rëndësishmet në gjenerata dhe ato duhet të jenë legjitime. Ne do të bashkëpunojmë me ta dhe i falënderojmë për punën e tyre me shumë rëndësi. Në këto zgjedhje, ne kemi bindjen se shqiptarët do të tregojnë se do të jenë vendimtarë në avancimin e vendit”, tha Ahmeti. Shtabi Zgjedhor i Bashkimit demokratik tashmë i ka mobilizuar më shumë se 15.000 aktivistë në të gjitha mjediset në kuadër të Shtabit qendror Zgjedhor dhe shtabeve komunale dhe ata tashmë janë në vlugun e aktiviteteve të tyre dhe plot elan, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’ua shpjegojnë qytetarëve programin zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim. Në kuadër të fillimit zyrtar të fushatës, Shtabi Zgjedhor njofton aktivistët dhe simpatizantët e vet se më 13 nëntor do të shpallet programi zgjedhor, ndërkaq më 20 nëntor do të mbahet Konventa.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.