Në një rakordim perfekt, Barcelona dhe Dortmundi kanë zyrtarizuar dy nga blerjet më të fundit në këtë merkato verore. Me katalanasit është zyrtarizuar Ousmane Dembele, futbollisti francez i lindur në vitin 1997, i cili kaloi nga Dortmundi në “Camp Nou” për të veshur fanellën me numrin 11, që deri sezonin e kaluar e mbante Neymar. Ndërkohë, shitja e Dembele e ka vënë në lëvizje Dortmundin për të gjetur pasuesin dhe ia ka dalë mbanë shumë shpejt. Në “Signal Iduna Park” tashmë do të shohim të mbrojë fanellën verdhezi të Dortmundit futbollistin ukrainas Andrey Yarmolenko, 27-vjeçari i blerë nga Dinamo e Kievit për një shumë që i kalon 20 milionë eurot. Ukrainasi ka firmosur një kontratë deri në vitin 2021 dhe do të mbajë mbi shpinë numrin 9, që sezonin e kaluar e mbante Emre Mor.