Qefser ABDYLI
Shkup, 30 mars – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), ka sjellë vendim që deri më 31 mars të largohen nga konvikti “Tome Stefanovski-Seniç” të gjithë banorët e lagjeve të vërshuara, pasi sipas tyre, banorët tani mund të kthehen në shtëpitë e tyre, shkruan gazeta KOHA. Mbi 100 familje nga rajonet e vërshuara, Hasanbegu, Haraçina dhe Stajkovci, u vendosën në konvikt. Muaj më parë atyre iu vazhdua qëndrimi nga ana e shtetit, kurse te premten duhet ta lëshojnë konviktin. Banorët janë të revoltuar nga ky vendim pasi, sipas tyre, nuk kanë se ku të kthehen sepse shtëpitë i kanë ende të pa banuara. “Le të vijë Komisioni të më merr mua të shkojmë bashkë dhe ta shohim shtëpinë se ku do të jetojë unë nëse më largojnë nga këtu. Unë a nuk dëshiroj të shkoj në shtëpinë time? Për momentin e vetmja gjë që dua është të ma rregullojnë shtëpinë dhe pastaj të largohem vet nga këtu”, thotë për KOHA, Vasfije Fazliovska, banore e Hasanbegut. Edhe të larguarit tjerë nga viset e vërshuara vitin e kaluar, e që gjithashtu qëndrojnë në konviktin e shtetit, shprehen se ende nuk janë krijuar kushtet për kthim në shtëpitë e tyre. “Shtëpinë e kemi ende të pa rregulluar, nëse na largojnë nga këtu nuk kemi ku të shkojmë, vetëm në rrugë të mbesim. Shteti na dha pak para, me ato para nuk mundë të ndërtosh shtëpi, shumë keq do të bëhet nëse na largojnë nga këtu. Jemi 6 anëtarë, çfarë do të bëjmë”, shprehet Zekije Rushiti. “Ku do të shkojmë nëse na largojnë, nuk kemi ku. Ne nuk do të largohemi edhe nëse na thonë të largohemi nga këtu. Pse nuk vijnë të shohin shtëpitë se a janë në gjendje për të banuar aty. Le të na ndihmojnë edhe neve si ju kanë ndihmuar maqedonasve, ne nuk do të largohemi nga këtu edhe nëse me forcë mundohen”, thotë e revoltuar Nevrije Rushiti. Blagonja Sokolovska nga fshati Stajkovc gjithashtu thekson se nuk ka ku të kthehet, pasi e gjithë shtëpia e saj në këtë fshat të banuar me maqedonas i është shkatërruar nga vërshimet. “E gjithë shtëpia është e shkatërruar, e gjitha është me baltë dhe me mbeturina. Nuk na ka ndihmuar as shteti, përveç me 40.000 denarëve. E çfarë mundë të bëjë me ato para dhe me 8000 denarë pension, nuk mundë të bëjë asgjë, jam me këmbë të thyer, vajza vjen çdo ditë kujdeset për mua këtu në konvikt. Tash doli që të na largojnë nga këtu, po ku të shkojmë nëse na largojnë, a e kanë menduar këtë gjë, pse nuk vijnë nëpër çdo shtëpi dhe të shohin dëmet. Turp është kjo të na largojnë, ndërsa ne nuk kemi ku të shkojmë, vërtetë turp”, thotë Sokolovska. Nga ana tjetër, koordinatori i konviktit Fatmir Gashi, thotë se drejtori i këtij institucioni mbetet në vendimin e prerë se përderisa nuk bëhet edhe njëherë vlerësimi i dëmeve, asnjë banorë nuk do të largohet nga ky konvikt. “Drejtori ka bërë kërkesë në bazë të kushteve tona që të vazhdohet afati i qëndrimit së paku edhe për dy muajt e ardhshëm. Se çfarë do të vendos kjo Ministri, nuk e dimë as vet. Mirëpo, kjo është gjendja e gjithë banorëve që po shihet, le të del përsëri komisioni le ti sheh dëmet edhe njëherë dhe do e vërtetojë se me të vërtetë banorët nuk kanë ku të kthehen. Kanalizimi në Hasanbeg ende mbetet një problem kyç për banorët, sepse po të ndodhë edhe njëherë vërshimi i 6 gushtit, përsëri të njëjtën do ta pësojnë banorët. Kanalizimet janë katastrofë, asgjë nuk është ndërmarrë rreth rregullimit të tyre. Këtu në konvikt nuk kanë mbetur edhe shumë banorë, kemi diku deri në 79 persona, edhe pse disa janë larguar nga presioni që u bënte ministria gati çdo ditë dhe tani jetojnë me qira. Bëj apel deri tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nëpërmjet gazetës suaj, që ta shqyrton edhe njëherë rastin dhe të vendos për fatin e këtyre banorëve, të mos politizohet gjendja. Shpresoj që të ndërmerr një hap pozitiv në dobi të banorëve”, tha Gashi. Se çfarë vendimi do të merr Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për banorët pas skadimit të afatit, ngelet të shihet në ditët në vazhdim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara