Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një rëndësi strategjike jo vetëm për Italinë, por edhe për gjithë Evropën, u shpreh sot në Tiranë, ministri italian i Punëve të Jashtme, Angelino Alfano. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të riafirmojë rolin si partner në të gjitha vendet e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA). Alfano, ka realizuar sot një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa pas përfundimit të takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat.
Bushati gjatë fjalës në konferencë u shpreh se me homologun italian kanë diskutuar për procesin e reformave në Shqipëri, perspektivën evropiane të vendit, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, etj. “Pata mundësitë ta informoj homologun për hapat për përmbushjen e prioriteteve kyçe. Natyrisht për ne çështja e zbatimit të reformës në drejtësi mbetet një prioritet absolut. Diskutuam edhe për marrëdhëniet tona, ku ekziston një miqësi e hershme dhe partneritet strategjik. Vizita e homologut italian zhvillohet në kuadër të presidencës italiane të procesit të Berlinit dhe në kuadër të samitit të Triestes që zhvillohet në korrik të këtij viti”, u shpreh Bushati.
Kryediplomati i Shqipërisë, ka shtuar më tej se me Alfanon kanë diskutuar edhe për ngjarjet e fundit në rajon dhe sipas tij, për mënyrën se si Italia dhe Shqipëria të bashkëpunojnë në mënyrë efektive në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm i Italisë, Alfano, duke theksur se sot në Evropë ka shumë parti që kanë në plan të dalin nga BE-ja, tha se duhet të realizohet procesi i zgjerimit “që kjo shtëpi të bëhet më e madhe.”
“Besoj se është një nevojë e ndërsjellë për të hyrë në BE, dhe besoj se Evropa ka nevojë për entuziazëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një rendësi strategjike jo vetëm për Italinë, por edhe për të gjithë Evropën. Shfaqja e tensioneve është shoqëruar nga një retorike nacionaliste në rajonin ballkanik. Pikërisht për këtë situatë BE-ja duhet të tregojë veten si partner, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. BE duhet ta mbështetës bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Ne e quajmë Shqipërinë një aktor qendror në Ballkanin Perëndimor, ku ka qenë një element stabiliteti në Ballkan. Mbështetshim reformat e Shqipërisë, që lidhen me prioritetet kyçe dhe nuk mund të futem në dinamikën politike të një vendi”, u shpreh Alfano.