Ramush Haradinaj sot pritet të merret në pyetje nga autoritete franceze të drejtësisë. Avokati i tij Arianit Koci beson që Haradinaj shumë shpejt do të lirohet edhe pse sipas tij Serbia është aktivizuar duke dërguar argumente shtesë për të zvarritur procesin. Ndërsa ka kritikuar institucionet kosovare për paaftësi dhe në planin diplomatik, të cilët siç u shpreh ai nuk po munden t’i bëjnë ballë sulmeve të Serbisë.
“Serbia po mundohet të zvarrisë procesin duke dërguar argumente shtesë për Haradinajn por kjo nuk do të ndodhë pasi që për të gjitha akuzat ndaj Haradinajt është vërtetuar dy herë pafajësia e tij në Hagë”, ka thënë Koci për TV ARTA. Sipas tij çdo shtet e ka mënyrën e vet se si i zbaton kërkesat për ekstradim, dhe fatkeqësisht, kjo situatë po shkelet në kurrizin e Haradinaj. “Franca ka obligime ndërkombëtare lidhur me ekstradimet, dhe duhet t’i zbatojë”, citon Koci.