Pas arrestimit të një shqiptari 17-vjeçar, të dyshuar për përgatitje të terrorizmit, policia austriake në Vjenë ka vazhduar me nuhatjen e simpatizantëve të tjerë të Shtetit Islamik. Rasti më i ri është një djalosh aq i ri, sa që nuk ekziston mundësia të arrestohet. Mbrëmjen e së premtes, policia austriake në Vjenë ka arrestuar një person të dyshuar për përgatitje të sulmit terrorist. Shtatëmbëdhjetëvjeçari shqiptar është akuzuar se ka qenë duke përgatitur një sulm terrorist në metronë e Vjenës. Lidhur me këtë rast, në qytetin gjerman, Neuss, të dielën është arrestuar edhe një person 21-vjeçar.
Tashmë, policia austriake në Vjenë e ka ngritur shkallën e gatishmërisë. Të dielën ka bastisur një banesë, në të cilën jeton një djalosh i ri dymbëdhjetëvjeçar. Djaloshi me prejardhje nga Maqedonia, supozohet se është involvuar në rrjetin e Shtetit Islamik, shkruan “Kronen Zeitung”, njofton Shtegu.com.
Por, përkundër gjithë kësaj, policia austriake nuk ka të drejtë të arrestojë djaloshin, pasi për shkak të moshës së re, ende është pa përgjegjësi penale. “Djaloshi ri, ka qenë në kontakt me shtatëmbëdhjetëvjeçarin dhe që të dy kanë pasur një komunikim reciprok”, ka pohuar të hënën para mediave, gjenerali policor Konrad Kogler. Gjenerali më tej ka potencuar se mosha e tillë është e ndjeshme dhe ndikimi i të tjerëve është i paevitueshëm. Për momentin, dymbëdhjetëvjeçari është nën kontroll të autoriteteve përkatëse.