E kishin thënë të gjithë: efekti i transferimit të Neymar te Paris SG do të sjellë rritjen e të gjithë çmimeve të futbollistëve. Pra, tani vlen gjithçka dhe për këtë duket se nuk shkaktojnë habi fjalët e thëna nga drejtuesi i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke. “Ka ofruar Barcelona 100 milionë euro për Dembele? Për klubin kjo shumë është shumë e ulët. Ai vlen më shumë. I njëjti diskutim është edhe për Aubameyang.” Pra, askush nuk është më i pashitshëm në botën e futbollit, por të gjithëve i është rritur çmimi. Për të qenë më të qartë: një muaj më parë, Dortmund pranoi 80 milionë euro nga Kina për Aubameyang, por pasi Neymar shkoi te PSG për 222 milionë euro, çmimi i sulmuesit nga Gaboni u rrit…
Mbi 100 milionë euro është një çmim që nuk i jep mundësi dhe dëshirë Milan për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me klubin gjerman, edhe pse shtypi gjerman vazhdon të këmbëngulë se palët mund të arrijnë marrëveshjen. “Në jetë nuk i dihet kurrë dhe ndonjë futbollist që ka luajtur apo është rritur në klubin tonë mund të kthehet, – tha drejtuesi i Milan, Mirabelli, teksa kujton se Aubameyang është rritur pikërisht në Akademinë e Milan. – Shumë lojtarë duan të kthehen dhe nuk është fjala vetëm për Ibrahimovic. Do të qëndrojmë me këmbë në tokë, do të flasim me të gjitha klubet dhe më pas, pas datës 15 gusht, do të lëvizim përfundimisht për të marrë qendërsulmuesin.” Diego Costa, Aubameyang, Belotti apo Kalinic, valsi i sulmuesve vazhdon…