Driton ZENKU
Gostivar, 31 mars – Rreth 80 automjete të cilat merren me transportin publik janë kontrolluar sot nga policia e trafikut rrugorë në Gostivar. Në këtë aksion kontrollohej gjendja teknike në përgjithësi e automjeteve, frenat dhe respektimi i sistemit të sinjalizimit, shkruan gazeta KOHA. Pavle Tërpeski, ndihmëskomandant i Njësisë për komunikacion rrugorë pranë SP të Gostivarit, thekson se edhe përskaj kontrolleve të shpeshta policore, parregullsitë nuk evitohen. Prandaj, shton ai, edhe bëhen këto kontrolle kaq të shpeshta, me qellim të rritjes së sigurisë së personave që shfrytëzojnë transportin publik.
“Sot si prioritet i zyrtarëve policor në Gostivar është zhvillimi i aksionit selektiv të kontrollit, ku në shënjestër janë vozitësit që bëjnë transportin publik. Para se gjithash kontrollohen taksi veturat, autobusët dhe furgonët. Aksioni selektivo-kontrollues po zhvillohet në bazë të Planit vjetor republikan për aksionet kontrolluese nga ana e SPB-Tetovë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë. Në këtë aksion kontrollohet gjendja teknike e veturave, gjendja e frenave dhe sistemi i sinjalizimit me qellim të rritjes së sigurisë së personave që shfrytëzojnë transportin publik. Përveç personave që kryerjen transport publik, në këtë aksion i kontrollojmë edhe veturat tjera me qellim të zbulimit dhe sanksionimit të vozitësve që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit. Detyra jonë është që nëpërmes këtyre kontrolleve të zvogëlojmë numrin e aksidenteve si në autostradë ashtu edhe në vendet e banuara të qytetit të Gostivarit mirëpo edhe të komunave tjera që përfshihen në pjesën e sigurisë në komunikacion, Komunën Mavrov-Rostush dhe Komunën e Vrapcishtit”, thotë për KOHA, Tërpeski, duke shtuar se u bëjmë apel vozitësve që t’i respektojnë shenjat e komunikacionit si edhe sinjalizimin vertikal dhe horizontal dhe t’ju përshtaten kushteve të rrugës”.
Pavle Tërpeski, ndihmëskomandant i Njësisë për komunikacion rrugorë pranë SP të Gostivarit, shton më tej se numri i gjobave është zmadhuar. Pasi të mbaroj ky muaj, do të kemi statistikat e tremujorit të parë. “Me rritjen e parregullsive të evidentuara në komunikacion është rritur edhe numri i gjobave si të urdhërpagesave ashtu edhe të gjobave mandatare”. Në ndërkohë, policia e Tetovës këtyre ditëve ka realizuar takime kompani të taksive në Komunën e Gostivarit. Nga policia informuan se vozitësit e taksi kompanive janë këshilluar që të jenë të pajisur me leje adekuate për vozitje, të mos nisen dhe ndalojnë si dhe kur të mbërrijnë rregullisht të kontrollojnë gjendjen teknike të automjeteve të tyre, vozitësit të mos konsumojnë alkool si dhe të kenë kryer kontrollet e detyrueshme mjekësore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara