Higuain kërkon dhe Napoli përgjigjet. Nuk është një dialog i drejtpërdrejtë, por i drejtuar nga juristët dhe i destinuar të përfundojë në gjykatë. Palët në çështje kanë bërë të ditur arsyet respektive, argjentinasi kërkon paratë që nuk i janë dhënë ndërsa klubi i kaltër mbyll arkën. Për Napoli-n është gjithçka në rregull pasi gjërat janë sqaruar në kohën e duhur dhe ajo që duhej dhënë është dhënë. 600 mijë eurot e kërkuara nga Pipita nuk e frikësojnë De Laurentiisin.
Për mikrofonat e “Radio Marte”, ka folur Mattia Grassani, jurist i shoqërisë. “Higuain i kërkon Napoli-t rimbursimin e një shume të konsiderueshme për të cilën mendon se i takon, por Napoli ka derdhur të gjitha detyrimet në insitucionet shtetërore fiskale si kontribut solidariteti. Pra nuk bëhet fjalë për të drejtat e imazhit, por për një mosmarrëveshje të tatim-taksave. Do të jetë gjykata ajo që do të marrë një vendim, por Napoli thekson se nuk i detyrohet asnjë euro z.Higuain. Bëhet fjalë për një shumë që është derdhur në arkat e shtetit për llogari të lojtarit. Për këtë çështje do të flitet edhe për ca kohë, jemi ende në fillimet e saj, dhe kolegji ende nuk është zgjedhur. Sapo të nisë procedura gjithçka do të zgjidhet shumë shpejt”, përfundoi përfaqësuesi ligjor i Napoli-t.