Akoma edhe sot, teksa bën rolin e zëvendësit të Cristiano Lucarelli në pankinën e Messina, Richard Vanigli më së shumti mbahet mend për atë incident të tmerrshëm të lojës në 19 shkurt 2006. Ndonëse kanë kaluar shumë vite, ish-mbrojtësit të Empoli, i kërkohet shpesh që të kujtojë atë pasdite në “Olimpico” dhe ato ditë të mëvonshme, të mbushura plot me polemika, akuza dhe tensione, të aplifikuara edhe nga mundësia që Francesco Totti të mund të humbiste mundësinë për të marrë pjesë në Botërorin e Gjermanisë. Ajo përplasje në lojë që i shkaktoi romanistit frakturën e kaviljes së majtë, ka qenë argumenti kryesor i intervistës së radhës së dhënë nga Vanigli. “Mbaj mend akoma gjithçka në lidhj eme atë ndërhyrje. Tentova dhe kërkova të ndërhyj para kundërshtarit, por nuk arrita të kap topin. Por nga ana tjetër Tottin as që e kam prekur, ndërkohë që e bëra të humbasë ekuilibrin dhe gjatë rrëzimit ndodhi ajo që ndodhi”, deklaroi ish-futbollisti për “lalaziosiamonoi.it”.
Një fat i ashpër ai i Vanigli dhe i shumë mbrojtësve të tjerë, të gjurmuar në karrierë nga episode fatkeqe, më shumë se nga fitore ose kënaqësi e arritje. “Në atëo momente nuk e kuptova fare se çfarë ndodhi, ndonëse Totti më ofendoi në të gjitha mënyrat. Kur ripashë imazhet televizive në sallën e konferencave mbeta vërtetë keq. Nuk e kisha kuptuar se kishte pësuar atë përdredhje dhe se kishte patur atë problem me kavilien”, vijoi Vanigli. Por pavarësisht ofendimeve, kapiteni i Romës, menjëherë ka vendosur mënjanë nervat. “Pas asaj ndeshje komunikova menjëherë me Totti. Më tha edhe ai që nuk ishte prekur, por shtoi se mund të kisha qenë më i qetë pas tij, pa tentuar që të arrija te topi dhe të ndërhyja. U ndërgjegjësua që nuk kishte qenë një ndërhyrje negative. Jemi dëgjuar edhe gjatë fazës së rihabilitimit dhe ishte qetësuar shumë. Ndërkohë, unë, për fat të keq u sulmova nga shumë”, përfundoi ish-mbrojtësi.