Strugë, 10 dhjetor – Prej shumë vitesh është stërthënë se godina e Stacionit të policisë në Strugë, do të rinovohet apo do të ndërtohet një e re, por asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, përveç investimit për vendosjen e flamurit gjigand shtetëror në oborrin e stacionit që ndodhi para katër viteve, shkruan gazeta KOHA. Në këtë godinë, përveç strukturave të uniformuara funksionojnë edhe zyrat e shumta administrative, me të cilat për çdo ditë ballafaqohen qytetarët struganë, duke filluar nga pajisja me dokumente identifikimi, udhëtimi apo deri regjistrimi i makinave. Kjo godinë e vjetër nuk ofron kushte minimale, si për qytetarët që duhet të kryejnë shërbimet e ndryshme që ofrohen nga administrata, ashtu dhe për të punësuarit, të thonë të punësuarit në këtë Stacion policor, padashur të identifikohen. Komandanti i Stacionit policor të Strugës,Valon Hani, në lidhje me këtë çështje në vazhdimësi ka thënë se kushtet janë ato që janë dhe se në këtë drejtim ka kërkuar prej kohësh që me prioritet të shihen mundësia për ndarjen e mjeteve që do të shkojnë për përmirësimin e kushteve në godinën e Stacionit policor të Strugës. Por deri tani, sipas tij, nuk ka një ndryshim pozitivë. Hani, gjithashtu thotë se nuk ka informacion se si do operohet në këtë drejtim, do të investohet në rinovimin e godinës ekzistuese, apo do të shkohet në variantin e ndërtimit të një objekti tjetër. Cili do variant të zgjidhet nga MPB-ja, është i mirëseardhur, nënvizon ai. “Nga ana jonë është kërkuar që të ndërhyhet dhe të merren masa, por deri tani nuk kemi informacion se në këtë drejtim është ndarë apo do të ndahet një fond për Stacionin e Strugës që do të shkojë kryekëput për përmirësimin e kushteve në godinën tonë. Ne jemi në pritje, por nuk mund të them se kur dhe si do të ndodhi ky investim”, ka thanë Hani. Përveç se nuk plotëson kushtet për të punësuarit, godina e Stacionit policor në Strugë nuk plotëson asnjë kusht elementar në raport me komoditetin e qytetarit gjatë pritjes, sidomos ky fakt demonstrohet në zyrat për lëshimin e pasaportave, letërnjoftimeve apo patentë shoferit. Para disa kohëve me ndihmë edhe të donatorëve të huaj, një sërë godinash të stacioneve policore në Maqedoni iu nënshtruan ndërhyrjeve rinovuese, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet në ambientet e tyre.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.