Evis HALILI
Shkup, 13 prill – Nëse numri i përgjithshëm i shqiptarëve të punësuar nëpër institucione është rritur dhe në total përbën mbi 19 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, as gjashtë për qind prej tyre nuk kanë një pozicion drejtues. Përkatësisht nga gjithsej 23.596 punonjës shqiptarë vetëm 1342 prej tyre ose vetëm 5.6 për qind kanë fituar një pozicion drejtues, shkruan gazeta KOHA. Në total numri i përgjithshëm i punonjësve në të gjitha institucionet është 123.127, prej të cilëve mbi 74 për qind janë maqedonas, 19.2 shqiptarë, 2 për qind turq e të tjerë. Në poste drejtuese numërohen 9118 persona, ku rreth 80 për qind janë kuadro maqedonas, të tjerë janë shqiptarë – 14.7 për qind, pas tyre vijnë serbët – 2 për qind dhe pas tyre turqit.
Dallimet janë drastike, duke filluar nga ato institucione ku s’ka asnjë drejtues shqiptar, dhe ato të tjera ku shqiptarët janë gati sa gjysma e pjesës tjetër. Sipas Raportit të Avokatit të Popullit për vitin e kaluar në zërin – Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat për një pjesë të institucioneve, prej disa vitesh përsëritet vërejtja për shkallën e ulët të përfaqësimit etnik, sidomos në kuadrin drejtues. Institucione të tilla ku numri i shqiptarëve është zero në funksione drejtuese janë Gjykata Kushtetuese, Administrative, e Lartë, Këshilli Gjyqësor, i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike, Avokati i Shtetit, Akademia e Shkencave dhe Arteve, e të tjera. Në një pjesë prej tyre postet drejtuese kanë 100 për qind maqedonase, ndërsa përqindja në disa të tjera është e përzier maqedonas-serbe. Ndërkohë përfaqësimi i drejtë etnik sa ai takon posteve drejtuese është i vogël, madje edhe në ato institucione ku numri i të punësuarve shqiptarë është i madh. Përqindjet që jep Avokati i Popullit gjithsesi që nuk përbëjnë pasqyrën e plotë, pasi në vetë raport vërehet se një pjesë e institucioneve refuzojnë të japin informacione për përbërjen etnike të punonjësve dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të tyre. Avokati veçon institucione të tilla si Ministria e Punëve të Jashtme, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, apo Drejtoria e Librave Amzë, Policia Financiare, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, e Medikamenteve, komuna e Likovës, apo Qendër, e të tjera, refuzojnë të paraqesin përkatësinë etnike të punonjësve të tyre. Sa i tako ministrive, përqindjet janë më të larta në ato ku edhe kreu i institucionit është shqiptar. Ndërsa më pak kuadro drejtues kanë Financa, Bujqësia (6,8), Punës dhe Politikës Sociale ( 7), Sekretariati i Përgjithshëm, Drejtësia (8.3). Në institucione të tjera, si Kultura shifrat vazhdojnë të jenë të ulëta prej disa vitesh (10.5), Shëndetësisë, Transporti dhe Lidhjet, e të tjera. Në ministri të tjera, postet drejtuese ndahen thuajse në formë të barabartë me maqedonasit. Në atë të Ekonomisë (41,9), Vetëqeverisjes Lokale 940), Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (92.9),Arsimin Fillor (37.9), Arsimin e Mesëm (35.4).
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara