Alexandre Lacazette është bërë blerja më e shtrenjtë e historisë së klubit të Arsenal, pasi londinezët kanë arritur marrëveshjen me Lyon dhe për 60 milionë euro, për transferimin e sulmuesit francez në “Emirates Stadium”. Lacazette ka qenë në qendrën stërvitore të Arsenal në “Hertforshire”, ku kaloi me sukses testet mjekësore dhe firmosi një kontratë pesë-vjeçare. Ai do t’i bashkohet “topçinjve” për turneun miqësor që do të zhvillojnë në Australi dhe Kinë gjatë javës së ardhshme.
Muajin e kaluar, Lacazette arriti marrëveshjen me Atletico Madrid dhe klubi spanjoll plotësoi kërkesat financiare të Lyon, por “embargo” e merkatos vënë nga FIFA, e pengoi këtë transferimin për Atletico, që vendosi të mbajë Griezmann, duke i propozuar rinovimin e kontratës. Arsenal kishte sulmuesin e Monaco, Kylian Mbappe në krye të listës së dëshirave të Wenger, por transferimi i tij nuk u realizua, kësisoj trajneri francez i “topçinjve” zgjodhi të bazohet te Lacazette.
Rekordi i mëparshëm i Arsenal kishte qenë 50 milionë euro të shpenzuara në vitin 2013 për të marrë Mesut Ozil nga Real Madrid. Lacazette, i cili numëron 11 ndeshje me kombëtaren e Francës, ka qenë golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në Ligue 1 me 28 gola. Ai bëhet blerja e dytë për Arsenal në këtë sezon, pas Sead Kolasinac, i ardhur nga Schalke me parametër zero.