Vetëvendosja ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Fatos Sahiti, në kufirin Kosovë-Shqipëri, duke u kthyer nga Shqipëria. Sipas Vetëvendosjes, arsyeja që është dhënë më ketë rast ka qenë pjesëmarrja e aktivistit Sahiti në një aksion simbolik muaj më parë. “Policia me veprime të tilla po e konfirmon se është e instrumentalizuar, dhe në vend të angazhimit për rend e ligj, ajo është e përqendruar në zbatimin e urdhërave politike të pushtetit të kriminalizuar”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Sipas tyre, arrestimet e këtilla dhe përndjekja e persekutimi i vazhdueshëm i aktivistëve të Vetëvendosjes nga pushteti përmes organeve të rendit dhe të drejtësisë, janë të papranueshme. “Frika nga humbja e pushtetit i ka përshkallëzuar të këqijat e pushtetarëve dhe sheshazi e ka nxjerrë fytyrën e këtij regjimi autoritar, që qëllimin kryesor e ka- luftimin e zërave opozitarë. Kërkojmë që veprimet e tilla të marrin fund, si dhe lirimin e menjëhershëm të aktivistit Fatos Sahiti. Asnjë lloj veprimi, asnjëherë, nuk do ta zmbrapsë aktivizmin tonë dhe nuk e ndalon përpjekjen tonë për një shoqëri të drejtë dhe një shtet demokratik”, përfundon njoftimi.