Omer XHAFERI
Shkup, 27 mars – Arrestimi i Edmond Temellkos, kryetar i Komunës së Pustecit (Liqenasit) me 12 shkurtë të vitit të kaluar ka qenë komfor dispozitave dhe normave ligjore. Kështu ka vendosur Këshilli Penal i Gjykatës Supreme ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale Publike, e cila kryetarin Temellko e ka përfshirë në personat e dyshuar për rastin “Titanik”, që ka të bëjë me keqpërdorimin e proceseve zgjedhore, shkruan gazeta KOHA. Ky vendim, i cili pritet që të publikohet së shpejti, është proceduar me qëllim të respektimit të procedurës ligjore, të cilët Gjykata Penale e Shkupit (GJPSH) dhe pala mbrojtëse e akuzonin Prokurorinë Speciale se ka dhënë urdhër të jashtëligjshëm për privimin nga liria të të dyshuarit. Lidhur me këtë rast, prokuroria e drejtuar nga Katica Janeva, po ashtu kërkoi që kryetari Temellko, si njëri prej të dyshuarve kryesor në këtë lëndë, t’i shqiptohet masa e paraburgimit, megjithatë GJPSH-ja nuk e pranoi një propozim të tillë. Në përshkrimin e ankesës të cilën PSP-ja e ka dorëzuar në Gjykatës Supreme, thuhet se prokurorja speciale Janeva, kërkon që kjo gjykatë të sjell vendim të prerë, për atë se kush ka pasur të drejtë në rastin e arrestimit të Temellkos, ata ose GJPSH-ja, e cila e konstatuar ligjshmërinë e privimit nga liria të të dyshuarit. “Gjykata Supreme vlerëson se prokurori i PSP-së në këtë rast ka vepruar komfor dispozitave ligjore, për arsye se bëhet fjalë për një procedurë specifike. I dyshuari posedon dy shtetësi, dy pasaporta, atë maqedone dhe të Republikës së Shqipërisë, kështu që dyshimet e theksuar se i njëjtit mund të ikë kanë qenë të arsyeshme, gjegjësisht i njëjti mund të jetë i pakapshëm dhe mund të mos jep deklaratë”, thonë gjykatësit të cilët e kanë pranuar ankesën e PSP-së. Burime brenda kësaj gjykate njëherit kanë bërë të ditur se ky vendim është sjellë disa muaj më parë, por i njejti nuk deri më tani nuk është nënshkruar. Përndjekja penale ndaj Temellkos dhe të dyshuarve tjerë në rastin “Titanik” pasoi pas publikimit të audio material nga përgjimet e jashtëligjshme, ku mes tjerash opinioni kishte rastin të dëgjojë se si funksionar të lartë shtetëror flasin për votuesin e Pustecit, të cilët duhet të votojnë në Maqedoni. Në ndërkohë, sipas hulumtimeve të disa mediave në Shkup, gjegjësisht në më shumë adresa në Komunën e Qendrës, ishin vendosur votuesit nga Pusteci i Shqipërisë. Hetimet për “Titanikun”, siç publikoi PSP-ja, përfshinë hierarkinë më të lartë të VMRO-DMPNE-së, anëtarë të Komiteti ekzekutiv të kësaj partie, katër anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pesë gjykatës nga Gjykata Administrative, një anëtar i Komisionit Zgjedhor të Çairit, ndërsa muajin e kaluar PSP ka përfshirë edhe 17 persona tjerë të dyshuar në këtë lëndë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara