Tetovë, 22 dhjetor – Gjithnjë e më shumë shtohen rastet sociale në Pollog, të cilët në pamundësi që të sigurojnë një jetë normale, drejtohen për ndihmë. Kështu është edhe rasti me 53 vjeçarin Halit Rizvani, nga fshati Gjurgjevisht i Gostivarit. Atij i është paralizuar krahu dhe këmba e djathtë dhe tashmë jeta e tij është bërë ferr i vërtetë. I ndodhur në një situatë të rëndë ekonomike, ai kërkon mbështetje dhe ndihmë nga ata që kanë mundësi ta ndihmojnë. Krahas terapisë që merr, ai po ashtu ka nevojë edhe për ushqim dhe sende të tjera të nevojshme për një jetë normale, por edhe këtë nuk mund ta bëjë, prandaj ai kërkon ndihmë nga banorët anembanë Pollogut që ta ndihmojnë, që edhe ai t’i kalojë më lehtë këto ditë dimri. “Jam i paralizuar dhe jam i paaftë për të punuar.
Jetoj i vetëm dhe kam një ndihmë, me të cilën edhe duhet të siguroj ushqim dhe terapinë që e marr për sëmundjen që e kam. Deri më tash më kanë ndihmuar fshatarët me ushqim, dru për ngrohje e kështu me radhë, por dua që të marr terapi tjetër për këtë sëmundje që kam, kurse e njëjta kushton shumë”, thotë për gazetën KOHA, Haliti. Që para tre vitesh ai është paralizuar dhe nuk është i aftë për të punuar, kurse mbijeton me ndihmën e fshatarëve të cilët jo rrallë herë i kanë ofruar ndihmë që ai të mos vdesë për një kafshatë buke. “Vet jetoj në shtëpi dhe me këtë ndihmë që e marr çka të blej më përpara, terapi, ushqim, dru, të paguaj faturat e rrymës. Këto nuk kam mundësi t’i bëj me ndihmën sociale. Kërkoj ndihmë për bukë dhe për terapi, asgjë tjetër nuk më duhet. Kam punuar në Itali dhe tash nuk kam asnjë të ardhur tjetër”, shprehet 53 vjeçari Halit Rizvani. “Jetoj në një shtëpi i vetëm, pa asnjë përkujdesje, pa ndihmë, nuk ka kush të më ofrojë edhe një gotë ujë. Falënderoj bashkëfshatarët që më kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të më ndihmojë, sepse deri më tash do të vdisja për një copë bukë.
Krahas bukës, ata po ashtu më sigurojnë edhe dru për ngrohje. Por, kam nevojë për një terapi tjetër dhe këtë nuk mund ta blej, prandaj edhe jam i detyruar që të kërkoj ndihmë”, tregon Haliti, i cili mezi lëviz dhe gjithnjë kur del jashtë është nën shoqërim të ndonjë bashkëfshatari. Ai vazhdon të jetojë i vetëm, ndonëse deri dikur kishte punuar në Itali dhe pret pensionin prej atje, por deri atëherë ka edhe shumë kohë, kurse varfëria e ka bërë atë që t`iu drejtohet të gjithëve për ndihmë. Të gjithë ata që kanë mundësi që ta ndihmojnë të lajmërohen në numrin e telefonit 071 497 134. (U.H)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.