Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski sot merr pjesë në takimin e katërt ministror të ministrave të shëndetësisë të Evropës Juglindore, që po mbahet në Kishinjev, Republika e Moldavisë, me ftesë të ministres moldave të Shëndetësisë, Roksanda Glavan, e cila është kryesuese e rrjetit shëdnetësor të EJL-së dhe drejtoreshës rajonale të Organizatës botërore të shëndetësisë për Evropë, Suzana Jakab.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se në takim, i cili përfundon nesër, marrin pjesë përfaqësues të lartë të qeverive në rajonin e Evropës Juglindore dhe më gjerë. Tema e takimit të katërt ministror, siç ceket, është “Avancimi dhe mirëqenia e shëndetit në Evropën Juglindore 2030”, në drejtim të vendosjes së aktiviteteve subrajonale dhe nacionale në rajonine Evropës Juglindore për zbatim dhe realizim të qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, me qëllim të avancimit të shëdnetit, si dhe avancimin e barazisë dhe përgjegjësisë në sistemet shëndetësore.
Temat për diskutim përfshijnë gjendjen dhe sfidat e sëmundjeve joinfektive, shërbimet universale shëndetësore, shëndetësia tejkufitare publike, rastet urgjente dhe migrimi, si dhe përpjekjet e përbashkëta për zgjidhje të çështjeve lidhur me determinantet socio-ekonomike të shëndetit. Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se në kuadër të takimit të katërt ministror do të shqyrtohet efikasiteti i rrjetit shëndetësor të Evropës Juglindore gjatë 15 viteve të fundit, si dhe kapacitetet nacionale, në drejtim të identifikimit të mundësive për bashkëpunim të ardhshëm.
Bashkëpunimi rajonal për shëndet publik ishte formalizuar kur ministrat e shëndetësisë të vendeve-anëtare të rrjetit shëndetësor të Evropës Juglindore, unanimisht i miratuan Kartën në Dubrovnik, në Shkup dhe Banja Llukë për përkushtimin e tyre drejt interesave të përbashkëta për avancim të shëndetit në nivel rajonal. Në margjina të takimit të katërt ministror në Kishinjev, Andovski do të realizojë disa takime bilaterale, qëndron në kumtesë.