Shkodër, 5 qershor – “Mos ma prekni pemën”, një këngë e kompozuar dhe orkestruar nga Kristi Popa, me tekst të Jorgo Papingjit, kënduar nga Ana Kodra është fituesja e çmimit të parë në edicionin e 55-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, shkruan gazeta KOHA. Organizuar nga Bashkia e Qytetit, Drejtoria Arsimore Rajonale, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Shoqata “Shpirti Artistik i Shkodrës”, Radio Televizioni Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë këtë vit kishte selektuar 21 këngë dhe 21 fëmijë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në këtë festival këngën fituese e zgjedhin vetë fëmijët garues.
Maqedonia këtë vit është përfaqësuar nga Lina Dullovi më këngën “Hëna thosh” dhe Amla Qyra me këngën “Unë vijë me këngë, Drini vjen me valë”. Nata finale u mbajt të shtunën në mbrëmje dhe ka mbushur plot e përplot me shqiptarë qendrën e qytetit të Shkodrës, aty te Shatërvani i njohur para objektit të Komunës. Festivali i njohur në edicionin e tij të 55-të në datat 1, 2 dhe 3 qershor, në skenën e madhe ngjiti plotë artistë të vegjël, shumë muzikë, emocione të reja e kujtime të ëmbla në një festë për fëmijë. Në Festival u paraqitën disa nga kompozitorët më të njohur shqiptarë si: Jorgo Papingji, Edmond Zhulali, Alfered Kaçinari dhe Naim Krasniqi dhe shumë të tjerë.
Realizues të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë janë drejtori dhe njëkohësisht dirigjenti maestro Kujtim Alia, udhëheqës artistik Roland Guli, skenografi Adnan Kastrati, redaktori përgjegjës Bardhyl Hysa dhe skenaristja Manjola Lloja Bushati. Në natën e parë të këtij edicioni, dirigjenti Kujtim Alia, drejtues i këtij festivali prej 32 vitesh, është nderuar me titullin e lartë Mjeshtër i Madh, akorduar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani.
Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë është një eveniment unik ku paraqiten talentet në këngë dhe krijimtari artistike për fëmijë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve është trashëgimia e këngës për fëmijë si dhe një ndër ngjarjet e vetme edukative për krijimtarinë për fëmijë. I nisur në Shkodër në majin e viti 1963, kjo ngjarje kulturore vit pas viti ka synuar përmirësimin dhe evidentimin e vlerave më të mira të muzikës e krijimtarisë për fëmijë. Vlerat e këtij festivali pasurohen çdo vit duke rritur brezat e rinj të artistëve. Përveç pasurimit të jetës kulturore të fëmijëve e fondit të këngëve për këtë grupmoshë, festivali ka shërbyer e vijon të japë kontribut të rëndësishëm në zbulimin, rritjen e lancimin e talenteve te reja, si dhe në edukimin e shijeve e kulturimin e fëmijëve.
Prej vitit 1993 kur ky festival u kthye në mbarëkombëtar, në Shkodër arrijnë krijime e fëmijë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora, duke u bërë e para dhe më e rëndësishmja skenë ku fëmijët nga gjithë trevat shqipfolëse këndojnë e garojnë bashkë. Kjo nënkupton jo thjesht mundësinë e lirisë për të konkurruar edhe kompozitorë e krijues nga trevat shqipfolëse, apo këngëtarëve të vegjël nga këto treva, por që nga viti 1993, struktura e mirëorganizuar e festivalit ka përcaktuar qartë kuotat e pjesëmarrjes dhe përfshirjen në realizim të artistëve shqiptarë jashtë vendit. Krijimtaria e re që paraqitet çdo vit në festival synon të sjellë vlerat më të spikatura të këngës shqiptare për fëmijë. Grumbullimi i saj bëhet duke përzgjedhur këngë nga festivalet e zhvilluara në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, si dhe përmes ftesave të shpërndara në të tërë hapësirën shqiptare. Për këtë ndihmon rikthimi i traditës së këtyre aktiviteteve të ndërprera për disa vite, si dhe krijimi i disa traditave të reja si “Showfest” e “Polifest” në Prishtinë, “YLBERI” në Shkup, Festivali i këngës për fëmijë Gjakovë, “BLETËZAT” në Tetovë, “Ulqini këndon” në Ulqin etj. (koha.mk)