Ambasadori i Republikës së Francës në Maqedoni, Kristian Timonie qëndroi për vizitë në Komunën e Gostivar, me ç’rast ka realizuar takim me kryetarin e komunës Nevzat Bejta.
Gjatë takimit, thuhet në kumtesën nga Komuna, është diskutuar funksionimi i pushtetit lokal në Gostivar, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Në konferencën për gazetarë kryetari Bejta ka theksuar se ka pasur mundësi ta njoftoj ambasadorin për punën e bërë në periudhën e shkuar në nivel lokal. “Projektet që kemi realizuar i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Gostivarit dhe nga hulumtimet e bëra tregojnë që qytetarët e Gostivarit janë të kënaqur me projektet e realizuara dhe që shkojnë në të mirë të tyre”, ka thënë Bejta duke folur për funksionimin e pushtetit lokal.
Në këtë drejtim, ambasadori Timonie ka potencuar se është i kënaqur që ndodhet në qytetin e Gostivarit në vizitën e tij të parë zyrtare. “Prezantimi për çështjet që kanë të bëjnë për funksionimin e pushtetit vendor, për ambasadorët është një çështje tejet e rëndësishme, sepse, politika është pjesë e përditshmërisë, kuptohet. Kryetari i Gostivarit më informoi për të gjitha projektet e realizuara dhe biseduam edhe për çështjen e fabrikës së riciklimit të mbetjeve urbane. Është tejet e rëndësishme që të realizohet kësi projekte. Po ashtu, kryetari më prezantoi pajtueshmërinë e pëlqyeshme që ekziston në mes komuniteteve në Gostivar, dhe ky është një shembull që do ta dëshironim vazhdimisht”, ka thënë ambasadori Timonie.
Në takim është biseduar edhe për zhvillimet politike në vend. Kryetari Bejta ka potencuar se qytetarët presin që sa më shpejt vendi të del nga kriza dhe të formohet qeveri që do të jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve. “Biseduam edhe për situatën në vend. Dhashë mendimin tim nga këndvështrimi i mendimit të shumicës së qytetarëve. Qytetarët presin që sa më shpejt vendi të del nga kriza dhe të formohet qeveri që do të jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve. Me pranimin e asaj qeverie, në vendin tonë do të forcohet demokracia, liria, barazia dhe drejtësia në mesin e gjithë qytetarëve pa marrë para sysh se kujt komuniteti i takon”, ka theksuar kryetari Nevzat Bejta.
Ndërkaq, ambasadori Timonie ka shfaqur përkrajen e Francës për Republikën e Maqedonisë në të gjithë proceset në drejtim të zhvillimit të demokracisë dhe inkuadrimit në Bashkimin Evropian. “Kemi nevojë për bashkëbisedues shumë të shpejt. Evropa po kalon momente tejet të vështira, dhe besojmë që Maqedonia do të mund të ndihmonte në këtë drejtim, jo duke shtuar një krizë politike që tashmë e keni. Urojmë që vendi juaj të jetë stabil dhe të avancohet në drejtim të vendosjes së vlerave të demokracisë. Me kryetarin jemi me profesion historian dhe hapëm një perspektivë jashtëzakonisht të gjerë. Historia ashtu siç e potencoi edhe kryetari, ka gjerë tejet relative. Ajo ka të bëje me humbjen e klanit në favor të qytetarëve. Ne si qytetarë francez do të dëshironim që kjo të ndodhe. Shpresojmë që Maqedonia të bëhet shtet i qytetarëve dhe të përkrah vlerat të cilat janë të përbashkëta”, ka thënë Timonie, duke shtuar që me rëndësi është që të mbizotëron paqja dhe të mos ketë konfrontime, sepse në të kundërtën të gjithë do të humbnin.