Arsenal ka arritur një marrëveshje paraprake me trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegri, për të zëvendësuar Arsene Wenger te “topçinjtë” sezonin e ardhshëm. Lajmin e kanë konfirmuar pak minuta më parë mediat britanike, duke thënë se hapi i parë për të sjellë në Premier League trajnerin juventin është hedhur. E përditshmja “Sunday Express” ka theksuar se raporti mes trajnerit dhe skuadrës britanike është intensifikuar shumë kohët e fundit, ndërkohë që palët kanë arritur një marrëveshje verbale. Duket se gjithçka është vendosur për të nisur një bashkëpunim, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. “Sunday Express” ka shtuar edhe se Arsenal i ka kërkuar Allegrit një listë paraprake blerjesh, në rast se italiani do të ulet verën e ardhshme në stolin e ekipit lodninez.
Por mediat britanike shtojnë se Allegri është duke pritur vendimin e trajnerit aktual Wenger, pasi klubi i ka propozuar një rinovim francezit (2-vjeçar), që duhet të kthejë një përgjigje brenda marsit nëse do të qëndrojë apo jo. Trajneri juventin nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të drejtuar në Premier League, aty ku kryeson Chelsea, që drejtohet nga një tjetër trajneri italian, Antonio Conte. Pak kohë më parë, Allegri pat deklaruar gjithashtu se për të ardhmen do të flasë me drejtuesit e klubit juventin, por duket se palët janë në prag të divorcit. Gjithsesi, palët presin edhe se si do të shkojë fati i të dyja skuadrave në Champions League, teksa këtë javë luhen takimet e kthimit, me Arsenal pranë eliminimit nga turneu kontinental.